Përfundon protesta e 86-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët: Jep dorëheqjen! Nesër më shumë!
Ka përfunduar protesta e 86-të qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pas një tjetër mbrëmjeje me fjalime, thirrje dhe marshim në rrugët e Tiranës.
Në përfundim të tubimit, qytetarët kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa thirrja “Jep dorëheqjen!” ka shoqëruar mbylljen e protestës.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen dhe se do të rikthehen sërish në shesh.
“Nesër më shumë!” ishte thirrja me të cilën qytetarët mbyllën protestën e 86-të, duke paralajmëruar vijimin e qëndresës edhe në ditët në vijim.
“Rama jep dorëheqjen!”- Marshimi nëpër Tiranë në protestën e 86-të, qytetarët njëzëri: Shqipëria kërkon revolucion!
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka vijuar edhe këtë mbrëmje, duke hyrë në ditën e 86-të të rezistencës.
Pas fjalimeve në shesh, qytetarët janë nisur marshimin nëpër rrugët e Tiranës, duke shoqëruar lëvizjen me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa kanë përsëritur thirrjen që është kthyer në refren të protestës: “Rama jepe dorëheqjen!”
Po ashtu, qytetarët kanë brohoritur njëzëri: “Shqipëria kërkon revolucion!”, duke shprehur vendosmërinë për të vijuar rezistencën qytetare.
Revolta kombëtare kundër qeverisjes në ditën e 86-të, turistja gjermane në protestë: Vijoni qëndresën dhe luftoni për demokracinë!
Një turiste gjermane i është bashkuar protestës qytetare kundër qeverisë dhe ka shprehur mbështetjen e saj për protestuesit.
Ajo tha se Shqipëria është një vend i dashur për njerëzit nga vende të ndryshme të botës dhe se e ka ndjekur protestën edhe në Gjermani.
Më tej ajo u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të vijojnë qëndresën dhe të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre.
“Vij këtu prej 20 vitesh. Njerëz nga vendi im, nga e gjithë bota, e duan vendin tuaj. E kam ndjekur protestën tuaj në Gjermani dhe thosha që këta njerëz janë guximtarë, po qëndrojnë për idealet e tyre. Vijoni qëndresën dhe luftoni për demokracinë”, tha ajo gjatë fjalës së saj.
“Mjaft është mjaft” – Qytetari i drejtohet kryeministrit: Populli është më i fortë se ty, i ka ardhur në majë të hundës
Një qytetar, teksa mori fjalën në protestë, iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i thënë se populli është më i fortë se ai dhe se do ta largojë nga posti.
Ai akuzoi se Rama dhe Berisha janë bashkë dhe se kanë punuar vetëm për ta shkatërruar vendin, ndërsa iu drejtua me një thirrje shqiptarëve që të bëhen bashkë kudo që janë dhe të dalin në shesh për të rrëzuar Edi Ramën.
“I bëj thirrje çdo njeriu që ti bashkohet kësaj proteste, veçanërisht çdo emigranti që të ngrejë zërin edhe të flasë. Edhe shqiptarët që ndodhen mijëra km larg nuk duhet të heshtin. Edi Rama dhe Sali Berisha janë bashkë dhe nuk kanë bërë asgjë të mirë për popullin, kanë vjedhur dhe shkatërruar Shqipërinë.
Ti japim Edi Ramës një afat tre ditor, ose do të dalë përpara popullit dhe tu përgjigjet kërkesave të tyre ose të japë dorëheqje. Nëse nuk reagon brenda tre ditëve, duhet të vazhdojmë. Edi Rama mos e mbaj veten më të zgjuar edhe më të fortë. Gjithmonë ka më të zgjuar. Në këtë rast është populli më i fortë se ty, i ka ardhur në majë të hundës nga gënjeshtrat e tua që nuk po mbarojnë kurrë.”
Pankartat epike nga protesta: “Nuk ikim ne, por ju!”
Në këtë ditë të 86-të të protestës, qytetarët kanë ironizuar me pankarta takimin e kryeministrit Edi Rama me kabinetin qeveritar në Pogradec.
Në një pankartë theksohet se ndërsa në mbledhje, qeveritarët bëjnë plane të reja për tendera e prokurime miliona lekësh, qytetarët mezi shtyjnë muajin.
“Ju në Pogradec: Plane të reja, miliona në tendera e prokurime. Ne në Tiranë: shtyjmë muajin me përbuzje e thërrime”, thuhet në pankartë.
Dita e 86-të e protestës, qytetarët nisen drejt Kryeministrisë: Të ndryshojë e gjithë klasa politike!
Ka nisur në Tiranë protesta e 86-të qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u organizuan fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë.
Edhe në ditën e 86-të, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas platformës së tyre, duhet të përgatisë vendin për zgjedhjet e ardhshme.
Por thirrjet e qytetarëve gjatë marshimit nuk kufizohen vetëm te largimi i kryeministrit. Protestues të pranishëm kërkojnë ndryshimin e të gjithë klasës politike, duke e shtrirë pakënaqësinë përtej mazhorancës dhe qeverisë aktuale.
Pas mbërritjes përpara Kryeministrisë pritet të mbahen fjalimet e qytetarëve, të cilët gjatë protestave të mëparshme kanë artikuluar shqetësimet dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë.
Në platformën e protestës përfshihet gjithashtu kërkesa për shfuqizimin e disa nismave ligjore, të cilat protestuesit i konsiderojnë të dëmshme për interesat e qytetarëve.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe pas ditës së 86-të, duke e lidhur përfundimin e tyre me plotësimin e kërkesave të paraqitura ndaj qeverisë.