Nisin tensionet para Kryeministrisë, policia sulmohet me molotovë

Shqipëria

Nisin tensionet para Kryeministrisë, policia sulmohet me molotovë

Më: 21 tetor 2026 Në ora: 18:29
Pamje nga protesta në Tiranë

Pas disa orësh proteste pa incidente, situata është tensionuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Drejt forcave të policisë janë hedhur bomba molotov, ndërsa një automjet ujëhedhës është vënë në lëvizje dhe qëndron në gatishmëri. Efektivët kanë marrë pozicione për ndërhyrje, por deri tani nuk kanë vepruar.

Tensionet janë rikthyer përpara Kryeministrisë në ditën e nëntë të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pas një dite relativisht të qetë, gjatë së cilës studentët dhe qytetarët qëndruan në bulevard pa përplasje me policinë, situata ka ndryshuar gjatë orëve të mbrëmjes.

Drejt forcave të rendit janë hedhur bomba molotov, duke krijuar një situatë të tensionuar përpara godinës së Kryeministrisë.

Përballë këtij zhvillimi, policia ka vënë në lëvizje një nga automjetet ujëhedhëse, i cili është pozicionuar në gatishmëri për një ndërhyrje të mundshme.

Ndërkohë, efektivët kanë marrë pozicione për ndërhyrje, por deri në këto momente nuk kanë ndërmarrë veprime për shpërndarjen e protestuesve. Ujëhedhësja gjithashtu nuk është përdorur ende.

Përshkallëzimi vjen pas një mbrëmjeje që nisi pa incidente, me një rritje të lehtë të pjesëmarrjes në protestë. Më herët, disa të rinj i vunë zjarrin në mënyrë simbolike një karrigeje, në shenjë refuzimi ndaj ftesës për dialog të kryeministrit Rama.

Situata e krijuar rikthen tensionet e ditëve të mëparshme, kur bulevardi përpara Kryeministrisë u përfshi nga përplasje mes protestuesve dhe policisë, me përdorimin e gazit lotsjellës dhe automjeteve ujëhedhëse.

Për momentin, forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë në pozicione, ndërsa automjeti ujëhedhës mbetet në gatishmëri. Pavarësisht sulmit me molotovë, policia nuk ka nisur ende ndërhyrjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat