Këshilli i Ministrave ka miratuar mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të Erion Vishkullit, në vlerën prej 5 milionë lekësh. Sipas vendimit të qeverisë, fondi do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa pagesa do të kryhet kundrejt paraqitjes së faturave përkatëse nga institucioni ku do të kryhet kurimi.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit për buxhetin e vitit 2026, si dhe në vijim të vendimit për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për këtë vit. Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Vendimi i plotë
V E N D I M PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. ERION VISHKULLI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.36, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
2. Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
28-vjeçari, Erjon Vishkulli mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Ngjarja ndodhi gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në sheshin “Skënderbej”. Vishkulli u transportua fillimisht në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve italiane, ajo ka kërkuar sekuestrimin e objektit që i është nxirrë nga syri i 28-vjeçarit. Hetimet përfshijnë edhe veprimet e efektivëve të policisë, me qëllim verifikimin nëse gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar.