Ka filluar të mbahet edicioni 5-të i Festivalit të Filmit Sportiv Prishtina 2025 nën organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Festivali po mbahet më 16 dhe 17 shtator (e martë dhe e mërkurë) në kinemanë ABC në Prishtinë.
Në këtë edicion, Premierë ta martën u shfaq dokumentari “Luani me rrotë nëpër botë”, i autorit Fatmir Hajzeri, që i kushtohet themeluesit të sportit të boçës në Kosovë, Luan Çabra,
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në ceremoninë hapëse theksoi se filmat dokumentar shfaqin kontributin e njerëzve në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të sportit, derisa shprehu gatishmërinë e KOK-ut për mbështetjen e të gjithë njerëzve që punojnë në zhvillimin dhe promovimin e sporteve.
Krasniqi: Filmi ‘Luani në Karrocë’ shpërfaq kontributin e personazhit në sportin e boçës
“Ky është edicioni i pestë i filmit dokumentar të sportit që organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës...Komiteti Olimpik i Kosovës ka pasur edhe çmime në festivalin botëror që mbahet në Milano me filma të ndryshëm ku shpresoj që edhe ky film i Luanit do të marrë merita të cilat edhe i meriton shumë shpejtë në disa muaj që na vie në festivalin botëror të filmit që do të mbahet në Milano....Sonte kemi kënaqësinë ta shikojmë filmin dokumentar ‘Luani në Karrocë’ dhe dua ta falënderoj për kontributin e tij dhe për atë që po jep për të gjithë shokët dhe shoqet e tij që janë me aftësi të kufizuara me karrocë dhe iu premtoj se do ta kenë gjithmonë përkrahjen nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka që ata të kenë suksese në sportin e tyre”, theksoi Krasniqi.
Në emër të të gjithë stafit që punoi në realizimin e këtij filmi dokumenta, para të pranishmëve foli Skender Sadiku, i cili tha se sporti i boçës është i vetmi sport që Kosova ia ka dhënë botës.
Sadiku: I vetmi sport që ia kemi dhënë botës është boça
“Do të jap dy pyetje që i jep dokumentari dhe shpresoj që do të vazhdojë pasi që e kemi dhënë një hipotezë që i vetmi sport që ia kemi dhënë botës është boça, e vetmja flajë që është në botë shqipe dhe është toponim i një sporti është boça. Kurse një gjë është e sigurt, këta persona të cilët u përmendën është hyrë në vokabularin tonë persona me aftësi të kufizuara, por jo, këta janë perosna me aftësi të veçanta”, tha Sadiku.
Ndërsa personazhi kryesor i këtij filmi dokumentar, Luan Çabra, tha se filmi iu dedikohet personave me aftësi të kufizuara.
Çabra: Filmin ua dedikojë personave me aftësi të kufizuara
“Unë vetëm rastësisht kam qëlluar në sportin e boçës, faleminderit të gjithëve që kanë kontribuar për të arritur deri këtu...Ky film po quhet në emrin tim por unë më së shumti ua dedikojë personave me aftësi të kufizuara të cilët me mundin dhe sakrificën tonë do ta kalojmë rrugëtimin për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare”, tha Çabra, transmeton kp.
Të mërkurën e 17 shtatorit do të shfaqen edhe nëntë filma të tjerë e që janë:
16:15 - “Ëndrra për lavdi”, e autores Valdete Osmani
16:50 - “Një shqelm kundër racizmit”, - Besian Beha
17:05 - “Gjuetia e adrenalinës”, - Ilir Halimi
17:25 - “Ia dolëm” – Blerdi Malushi
17:45 - “Ajo Mal”, - Utalaya Foundation
18:10 - “Rinascere” (Rilindur), – Umberto Marino
20:10 - “Kampioni i valëve” - Burim Haliti & Ganimete Sava
20:15 – “4 çerekët” – Leart Hoxha
21:15 – “10 ditë me atin tim” - Ylli Pepo, Fatmir Mneri