Federata Shqiptare e Pingpongut ishte mikpritëse e Kampionatit Mbarëkombëtar Shqipëri–Kosovë, duke vijuar traditën e bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta mes dy federatave.Shqipëria siguroi titujt ekiporë dhe individualë në konkurrencën e femrave, ndërsa Kosova triumfoi në garat e meshkujve.
Në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, përgjatë dy ditëve në fundjavë u zhvilluan garat ekipore dhe ato individuale, ku morën pjesë skuadrat më të mira të ligave përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë, si në kategorinë e femrave ashtu edhe të meshkujve. Shqipëria u përfaqësua nga Teuta dhe Elbasani për femra, si dhe nga Elbasani dhe Tirana për meshkuj.
Ndërkohë, Federatën e Pingpongut të Kosovës e përfaqësuan Prishtina F dhe Ahmet Hoxha në kategorinë e femrave, si dhe Lidhja e Prizrenit dhe Liria në atë të meshkujve.
Në konkurrencën e femrave, skuadra e Teutës së Durrësit u shpall kampione, duke vijuar dominimin e saj absolut jo vetëm në Shqiëpri, por tashmë edhe në kompeticionet mbarëkombëtare. Prishtina u rendit e dyta, ndërsa vendi i tretë u nda mes Elbasanit dhe ekipit Ahmet Hoxha.
Te meshkujt, dominimi ishte i skuadrave nga Kosova, të cilat siguruan dy vendet e para, ndërsa Elbasani dhe Tirana u renditën të tretët.