Sporti i shigjetarisë në Kosovë, fillimet, ecuria dhe suksesi i këtij sporti fisnik

Sporti

Sporti i shigjetarisë në Kosovë, fillimet, ecuria dhe suksesi i këtij sporti fisnik

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 13:07
Fotoilustrim

Shigjetaria është ndër sportet më pak të përhapura në Kosovë, por pavarësisht kësaj, vitet e fundit ka shënuar përparim dhe ka arritur të prezantohet me sukses edhe në arenën ndërkombëtare.

Një prej qendrave ku ky sport po zhvillohet është Ylli Sport Center në Drenas, ku klubi i shigjetarisë Feronikeli po punon për rritjen e gjeneratave të reja dhe përgatitjen e sportistëve të së ardhmes.

KosovaPress ka vizituar këtë qendër sportive, ku ka përcjellë nga afër një proces stërvitor të këtij sporti fisnik, si dhe ka biseduar me kryetrajnerin Agron Mala dhe tre sportistë të grupmoshës U15, të cilët treguan për përvojën dhe pasionin e tyre për shigjetarinë.

Kryetrajneri i klubit Feronikeli, njëherësh kryetar i klubit dhe anëtar i bordit të Federatës së Shigjetarisë, Agron Mala, thotë se rrugëtimi i këtij sporti në Kosovë ka qenë sfidues, por i mbushur me kënaqësi, sidomos duke pasur parasysh se gjithçka është ndërtuar pothuajse nga zeroja.

Ai kujton se shigjetaria në Kosovë nisi organizimin në vitin 2008, ndërsa tri vjet më vonë u bë pjesë e strukturave ndërkombëtare, duke luajtur rol edhe në zhvillimin e lëvizjes olimpike në vend.

Mala: E ndërtuam një sport prej fillimit dhe arritëm majat

“Ecuria e këtij sporti është një rrugëtim shumë interesant dhe sfidues, por në të njëjtën kohë edhe me kënaqësi shumë të madhe. Kur e ndërton diçka prej fillimit, vërtet nuk është e lehtë. Ne e nisëm këtë rrugëtim në vitin 2008 dhe ndërtuam një sport, një art të bukur, që unë shpesh e quaj arti i bukur në Kosovë. Thuajse arritëm majat e këtij sporti, me paraqitje shumë të mira edhe në arenat ndërkombëtare”, deklaroi Mala.

Pavarësisht se shigjetaria nuk ka përhapje të madhe në vend, interesimi për të ka qenë i vazhdueshëm. Sipas Malës, aktualisht ky sport është i pranishëm në pesë rajone të Kosovës, me gjithsej 12 klube të themeluara, prej të cilave tetë janë të licencuara edhe nga Ministria e Sportit.

Ai thekson se pandemia COVID-19 ndikoi në rënien e aktivitetit, por vitet e fundit është vërejtur një ringjallje e sportit, veçanërisht falë krijimit të kushteve më të mira për stërvitje.

Përveç rezultateve sportive, Mala vlerëson se shigjetaria ka një rëndësi të veçantë në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Përmes këtij sporti, të rinjtë mësojnë të jenë më të përqendruar, të durueshëm dhe të disiplinuar, cilësi që mund t'u shërbejnë edhe jashtë fushës sportive.

Ai e sheh përfshirjen e gjeneratave të reja si një prej objektivave kryesore të klubit dhe federatës, duke synuar që sa më shumë fëmijë të kenë mundësi të merren me këtë sport.

Mala: I largon fëmijët nga dukuritë e këqija

“Benefitet më të mëdha janë te grupmoshat e reja, për shkak se ta inkuadrosh një gjeneratë të të rinjëve në këtë sport dhe ta heqësh prej rrugëve negative dhe ta integrosh në një sport shumë fisnik dhe që rrit fokusin dhe përqendrimin, është një përparësi shumë e madhe, pasi që ndihmon që të rinjtë të kenë fokus më të madh edhe në jetën private edhe në mësime sepse është një sport që rrit fokusin”, u shpreh Mala.

Një prej sfidave me të cilat përballen klubet e shigjetarisë në Kosovë është kostoja e pajisjeve sportive. Mala thotë se rekuizitat e nevojshme për këtë sport kanë çmime relativisht të larta në raport me standardin ekonomik në Kosovë, por klubet arrijnë të funksionojnë falë mbështetjes institucionale dhe asaj nga sponsorët e donatorët.

Shigjetaria tashmë ka treguar se mund të jetë konkurruese edhe në garat ndërkombëtare. Një prej paraqitjeve të rëndësishme të fundit ishte ajo në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.

Mala: Këtë vit patëm një paraqitje të jashtëzakonshme në Lojërat Mesdhetare

“Vlen të theksohet se këtë vit patëm një paraqitje të jashtëzakonshme në Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë, në muajin gusht, ku ekipi i Kosovës arriti deri në çerekfinale dhe ishte vetëm një hap larg hyrjes në zonën e medaljeve. Në çerekfinale u mposhtëm nga Spanja me rezultat 6:2 në sete.”

Synimi i madh: medalje në Prishtina 2030

Megjithatë, synimi i radhës është edhe më ambicioz. Me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, shigjetaria kosovare synon të përgatitet për një paraqitje shumë më të suksesshme, me shpresën që medaljet të mbeten në Kosovë.

Mala: Synimi është sukses i jashtëzakonshëm

“Një prej objektivave tona afatgjata, si federatë dhe si klube, është që në këto Lojëra Mesdhetare të mos kemi vetëm një paraqitje, por të arrijmë një sukses të jashtëzakonshëm. Investimi kryesor në njohuri, stërvitje dhe përgatitjen e gjeneratave të reja bëhet me qëllimin që ne kosovarëve t'u sigurojmë medalje në Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, deklaroi Mala.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Drenasi pritet të jetë një prej qendrave të rëndësishme të garave të shigjetarisë gjatë këtij organizimi, pasi pikërisht në këtë komunë pritet të zhvillohen garat e këtij sporti.

Ndërkohë, pjesë e vizitës ishin edhe tre sportistë të grupmoshës U15, Ferdis Hoxha, Blerdian Mala dhe Jon Leci, të cilët përmes stërvitjeve të rregullta po ndërtojnë përvojën e tyre në këtë disiplinë.

Firdeus Hoxha: “I ka rreth dy vjet që merrem me këtë sport dhe më pëlqen shumë. Mendoj se disiplina dhe fokusi që kërkon ky sport janë shumë të rëndësishme. Falë tyre kam arritur të kem sukses edhe në gara të tjera. Ky sport të ndihmon të përqendrohesh më shumë, jo vetëm në gara, por edhe në gjithçka që bën në jetë.”

Bledian Mala: Jo aq shumë sa e bëjnë të tjerët, më duket shume sport i bukur sepse nuk është shumë i gjatë edhe është si sport i lehtë, kom marrë fuqinë, jamë forcu më shume se sa isha

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 përbëjnë një mundësi të rëndësishme për këtë zhvillim.

Për shigjetarinë kosovare, ato nuk janë vetëm një garë në shtëpi, por edhe një objektiv për të dëshmuar se puna e nisur vite më parë mund të kurorëzohet me rezultate historike dhe medalje për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat