Tetë persona janë dënuar me burg pas sulmit ndaj Merab Dvalishvilit nga Usman Nurmagomedov dhe grupi i tij, të mërkurën në hollin e një hoteli në Abu Dhabi, raportoi të premten gazeta “The National”, duke iu referuar një njoftimi të Departamentit Gjyqësor të Abu Dhabit.
Dvalishvili po zhvillonte një intervistë në hotelin Yas Hilton, kur Nurmagomedov dhe bashkëpunëtorët e tij iu afruan nga prapa, e goditën me shuplakë në fytyrë dhe nisën përleshjen, ku mbetën të lënduar Dvalishvili dhe miku i tij, Saba Lazishvili.
Të gjithë personat e përfshirë u ndaluan nga autoritetet. Gjashtë persona, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë në njoftimin zyrtar, u dënuan me nga gjashtë muaj burg për prishje të rendit dhe sigurisë publike, shkaktim paniku dhe rrezikim të jetës. Përveç kësaj, secili prej tyre u gjobit rreth 80 mijë dollarë dhe do të dëbohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe pas vuajtjes së dënimit.
Dy personat që filmuan përleshjen u dënuan gjithashtu me nga gjashtë muaj burg, u gjobitën me nga 80 mijë dollarë dhe do të dëbohen pas vuajtjes së dënimit, për shkelje të privatësisë përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit për filmimin dhe publikimin e pamjeve të përleshjes.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e telefonave të tyre dhe fshirjen e pamjeve filmike.
Dy persona të tjerë u gjobitën me nga rreth 14 mijë dollarë për prishje të sigurisë publike dhe sulm ndaj të tjerëve, por iu shmangën dënimit me burg.
Dvalishvili është liruar nga paraburgimi, njoftoi të premten organizata RAF.