Takimi i planifikuar në Athinë ndërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe përfaqësuesve të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është anuluar.
Lajmi është konfirmuar nga Komitetit Olimpik i Kosovës, e po ashtu është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama
Takimi në Athinë ishte konsideruar si një mundësi e rëndësishme për të diskutuar situatën rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare dhe për të gjetur zgjidhje për problemet që e kanë përcjellë këtë projekt.
Anulimi i tij vjen në një kohë kur organizimi i “Prishtina 2030” është përballur me paralajmërime dhe shqetësime të vazhdueshme lidhur me përmbushjen e obligimeve të Kosovës ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Kështu, pas paralajmërimeve të mëhershme, edhe një përpjekje e rëndësishme për të diskutuar të ardhmen e kësaj ngjarjeje sportive nuk është realizuar, duke shtuar paqartësitë për fatin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë.