Lirim Bllaca, sekretar i Federatës së Arteve Mikse Marciale (MMA) në Kosovë dhe trajner në 038 Fight Club, ka qenë i ftuar në zyrat e KosovaPress-it, ku ka folur për zhvillimin e MMA-së në vend, kampionatin e dytë të Kosovës, garuesit me perspektivë dhe sfidat që i presin sportistët kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Bllaca fillimisht është ndalur te kampionati i dytë i MMA-së në Kosovë, i mbajtur më 14 dhe 15 nëntor, duke theksuar se këtë vit organizimi ishte më atraktiv dhe niveli i garuesve dukshëm më i lartë.
Zhvillimi i MMA në Kosovë, Bllaca: Këtë vit pati më shumë organizim e spektakël
“Ka pasur më shumë spektakël, kemi ftuar më shumë mysafirë, ka qenë e transmetuar live si herën e kaluar në YouTube. Jemi përpjekur me bërë pak më atraktive edhe për atë publikun që nuk e njeh shumë domosdo sportin, por ka qejf të kalojë një mbrëmje argëtuese. Niveli i garuesve ka qenë shumë më i madh dhe në përgjithësi mendoj që niveli i organizimit ka qenë më i lartë”, ka thënë Bllaca.
Një nga emrat që mori vëmendje të veçantë në këtë kampionat ishte Ermal Berisha, i cili u shpall “Fighter of the Night”, çmim që e fitoi edhe në edicionin e kaluar. Berisha është nga Deçani dhe përfaqëson 038 Fight Club, ndërsa trajneri Bllaca e vlerëson si një prej garuesve me perspektivën më të madhe.
Bllaca: Ermali është i jashtëzakonshëm, ka punuar jashtëzakonisht shumë
“Sikur vitin e kaluar edhe këtë vit garuesi që e ka marrë shpërblimin si ‘Fighter of the Night’ ose garuesi më i mirë i kampionatit ka qenë Ermal Berisha. Ermali është një djalë prej Deçanit, e përfaqëson 038 Fight Club, unë e kam nderin me qenë njëri prej trajnerëve të tij. Është i jashtëzakonshëm për shkak se ka punuar tepër shumë. Përveç përgatitjeve që i ka pasur këtu, ka bërë përgatitje në kampe të UFC-së bashkë me Denis Buzukjen edhe me garues të tjerë të UFC-së gjatë verës në Shqipëri”, ka deklaruar ai.
Bllaca ka folur edhe për kampionatin e ardhshëm botëror, ku Kosova pritet të përfaqësohet nga disa garues. Ai ka paralajmëruar një konkurrencë shumë të fortë, duke marrë parasysh numrin e pjesëmarrësve dhe traditën e madhe që disa shtete kanë në sportet luftarake.
Bllaca: Kampionati botëror do të jetë një sfidë e madhe për Kosovën
"Kampionati botëror ka me qenë një sfidë e madhe. Kanë me qenë rreth 1.000 garues dhe ka prej vendeve që kanë tradita të mëdha, për shembull në mundje, sambo dhe arte marciale. Garuesit ushtrojnë ndoshta prej moshës 5-6-vjeçare dhe edhe për nivelet amatore shumë prej tyre janë të jashtëzakonshëm. Bëhet fjalë për vende që plot nga ne e kemi vështirë t’i gjejmë nëpër harta, si Kirgistani, Taxhikistani dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, komplet Rusia dhe të tjerat, që kanë programe të jashtëzakonshme të mundjes dhe xhudos dhe performojnë tepër mirë. Mirëpo, garuesit tanë e kanë marrë pak më seriozisht, sidomos Ermali (Berisha), Muhamed Kashtanjeva dhe Dhurim Zenuni prej Ferizajt. Gjithashtu, janë përgatitur në mënyrë konstante prej vitit të kaluar dhe mendoj që e kanë ngritur nivelin tepër shumë prej asaj kohe", ka thënë Bllaca.
MMA është një prej sporteve luftarake më dinamike dhe eksplozive në botë, ku ndërthuren disiplina të ndryshme si boksi, mundja, xhudoja dhe brazilian jiu-jitsu.
Popullariteti i këtij sporti është rritur ndjeshëm në nivel ndërkombëtar, veçanërisht përmes organizatave si UFC, duke tërhequr gjithnjë e më shumë sportistë dhe tifozë.
Edhe në Kosovë, MMA po fiton terren, me rritjen e numrit të klubeve, garuesve dhe organizimeve vendore. Kampionate të tilla janë një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e sportistëve, por edhe për ta afruar këtë sport me publikun e gjerë.
Sfida e radhës për garuesit kosovarë do të jetë dëshmimi i nivelit të tyre në arenën botërore, përballë sportistëve që vijnë nga vende me traditë shumëvjeçare në sportet luftarake.