Të ardhura rekord!

Tenis

Të ardhura rekord!

Nga: B.S Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 17:27
Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz

Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz ka përjetuar një turne të jashtëzakonshëm në Torino, ku triumfoi në Turneun e Kampionëve (ATP Finals), duke e përfunduar garën pa asnjë humbje.

Përveç trofeut prestigjioz, 23-vjeçari ka përfituar edhe një shpërblim rekord në karrierën e tij, duke arkëtuar plot 5 milionë e 171 mijë dollarë, apo rreth 4.71 milionë euro.

Sipas ATP-së dhe mediave spanjolle, kjo është shuma më e madhe që Alcaraz ka fituar ndonjëherë në një turne të vetëm.

Spanjolli e siguroi titullin pas fitores ndaj gjermanit Alexander Zverev në finale, me rezultat 2:0 (6:2, 7:6). Kështu, Alcaraz e fitoi për herë të parë në karrierë trofeun e Turneut të Kampionëve.

Rrugëtimi i tij drejt titullit ishte i përkryer. Ai regjistroi tri fitore në fazën e grupeve, më pas triumfoi në gjysmëfinale dhe në fund edhe në ndeshjen finale. Pra, pesë ndeshje dhe pesë fitore, pa pësuar asnjë humbje.

Shpërblimi financiar në këtë turne llogaritet në bazë të pjesëmarrjes dhe fitoreve të realizuara gjatë garës.
Alcaraz e fitoi shumën maksimale, e cila u nda në këtë mënyrë:

Pjesëmarrja në turne: 338 mijë dollarë.

Tri fitore në fazën e grupeve: 1 milion e 215 mijë dollarë.
Fitorja në gjysmëfinale: 1 milion e 206 mijë dollarë.
Fitorja në finale: 2 milionë e 412 mijë dollarë.

Veçanërisht mbresëlënës është fakti se vetëm triumfi në finale i solli atij më shumë se 2.4 milionë dollarë. Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e të ardhurave totale erdhi nga fitorja në ndeshjen vendimtare.

Kështu, Alcaraz u largua nga Torino me një prej trofeve më prestigjiozë të tenisit, por edhe me shpërblimin më të madh financiar të fituar ndonjëherë në një turne të vetëm gjatë karrierës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat