Tenistja zvicerane e specializuar në dyshe, Naïma Karamoko, debuton në Billie Jean King Cup në moshën 29-vjeçare. Ajo tregon pse vendosi t’i japë fund përkohësisht karrierës në garat individuale dhe t’i përkushtohet dysheve.
Përfaqësuesja e Zvicrës në tenis do të garojë të shtunën dhe të dielën në Tajlandë, në ndeshjet e plejofit të Billie Jean King Cup. Në mesin e ekipit zviceran është edhe një emër që deri më tani ishte i njohur kryesisht për ndjekësit e afërt të tenisit: Naïma Karamoko.
Tenistja nga Gjeneva është e specializuar në garat e dysheve dhe, në moshën 29-vjeçare, për herë të parë është përfshirë në përfaqësuesen e Zvicrës për këtë garë ekipore.
Për të, kjo është një ndjenjë e veçantë. “Është padyshim një nder. Isha jashtëzakonisht e lumtur dhe krenare”, ka thënë Karamoko në një intervistë për SRF.
Megjithatë, ajo e di se këtë vend në ekip e ka fituar edhe falë mungesës së Belinda Bencic, e cila është e lënduar. “Mendoj se e meritoj vendin tim dhe se kjo nuk është rastësi”, është shprehur ajo.
Një përgatitje shumë e mirë për këtë garë ishte edhe triumfi në turneun WTA 250 në Chennai, në fillim të nëntorit, ku së bashku me Simona Waltert fituan titullin në dyshe. Aktualisht, Karamoko është tenistja më e mirë zvicerane në renditjen botërore të dysheve, duke zënë vendin e 81-të.
Pse zgjodhi garat në dyshe?
Para dy vitesh, Karamoko vendosi ta pezullonte karrierën në garat individuale, të paktën përkohësisht.
Ajo thotë se ka shumë arsye pse e dashuron tenisin në dyshe.
“Më pëlqen të luaj pranë rrjetës dhe të godas topin në vole. Më pëlqen t'i ndaj emocionet me dikë tjetër”, ka treguar ajo.
Sipas saj, të luash në dyshe është përgjithësisht më argëtuese. Ndërsa në garat individuale, e kishte të vështirë të fitonte vetëbesimin e nevojshëm.
Ndeshjet e Zvicrës në Billie Jean King Cup kundër Tajlandës do të transmetohen drejtpërdrejt në SRF të shtunën dhe të dielën, nga ora 07:00.
Sfidat financiare dhe synimet e reja
Në garat e dysheve është më e vështirë të sigurosh të ardhura të mjaftueshme vetëm nga shpërblimet financiare të turneve. Për Karamokon, kjo bëhet e mundur falë kombinimit të shpërblimeve dhe sponsorëve.
Sipas të dhënave të WTA-së, të ardhurat e saj të grumbulluara nga turnetë janë afër 100 mijë dollarëve.
Sukseset e fundit i kanë sjellë asaj jo vetëm shpërblime financiare, por edhe më shumë vëmendje mediatike.
Ajo dëshiron ta shfrytëzojë këtë interes për t'i afruar tifozët edhe më shumë me garat e dysheve, të cilat nuk gëzojnë aq shumë popullaritet sa garat individuale.
Partneret i zgjedh në mënyrë spontane
Karamoko, e cila e ka ndërtuar gradualisht karrierën në këtë nivel, këtë vit ka luajtur në gjashtë finale të turneve WTA.
Një detaj interesant është se në këto finale ka garuar me pesë partnere të ndryshme.
Ajo shpjegon se kjo është diçka krejt normale në tenisin e dysheve.
“E shikoj listën e pjesëmarrëseve në një turne dhe pastaj i kontaktoj përmes WhatsApp-it ose Instagramit, duke
i pyetur nëse dëshirojnë të luajnë së bashku me mua”, ka treguar tenistja zvicerane.
Me përmirësimin e renditjes botërore, rriten edhe ambiciet e saj. Synimi kryesor është pjesëmarrj
a në turnetë Grand Slam, mundësisht që në Australian Open.
Karamoko beson se ende ka hapësirë të madhe për përmirësim.
“Mendoj se renditja ime do të përmirësohet dhe se edhe niveli i lojës do të rritet. Por besoj se duhet të
përmirësohem në shumë aspekte të tenisit, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë mendor”, ka përfunduar ajo.
Tani, sfida e radhës për Naïma Karamokon është Tajlanda, ku së bashku me përfaqësuesen zvicerane synon të arrijë fitore. Një shpresë e madhe për ekipin është edhe bashkëpunimi i dëshmuar i saj me Simona Waltert në garat e dysheve.