Jannik Sinner ka konfirmuar zyrtarisht fundin e bashkëpunimit me trajnerin australian Darren Cahill.
Pas pesë vitesh të mbushura me suksese dhe trofe, dy palët do të ndajnë rrugët në përfundim të sezonit 2026.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të tenistit italian, aktualisht në vendin e dytë në renditjen botërore ATP. Në të njëjtën kohë, Sinner ka njoftuar edhe për afrimin e një emri të ri në stafin e tij teknik: suedezin Magnus Norman, i cili do t'i bashkohet ekipit në fillim të muajit të ardhshëm.
Cahill iu bashkua stafit të Sinner në qershor të vitit 2022, duke punuar në krah të trajnerit Simone Vagnozzi. Kontributi i tij rezultoi vendimtar në ngritjen e italianit drejt majave të tenisit botëror.
Gjatë kësaj periudhe, Sinner fitoi pesë tituj Grand Slam, dy trofe ATP Finals dhe arriti të kompletonte Career Golden Masters, duke triumfuar në të nëntë turnetë e kategorisë Masters 1000. Në qershor të vitit 2024, ai u ngjit për herë të parë në vendin e parë të renditjes botërore.
Në komunikatën e publikuar, Sinner vlerëson jo vetëm rezultatet sportive, por edhe ndikimin njerëzor dhe profesional të trajnerit australian.
“Pesë vite të paharrueshme, faleminderit”, është mesazhi i tenistit italian për Cahill, me të cilin ka ndërtuar një marrëdhënie të bazuar te besimi dhe respekti reciprok, që me kalimin e kohës është shndërruar edhe në një miqësi të fortë.
Ndërkohë, Magnus Norman do të jetë emri i ri në stafin teknik të italianit, ku do të punojë së bashku me Simone Vagnozzi-n. Suedezi, ish-numri dy i botës si tenist dhe trajner me përvojë të madhe, pritet të sjellë një kapitull të ri në karrierën e Sinner.
Largimi i Cahill shënon fundin e një prej bashkëpunimeve më të suksesshme të viteve të fundit në tenis, që ndihmoi Sinnerin të shndërrohej në një prej lojtarëve më dominues të brezit të tij.