Alcaraz siguron finalen në Torino, një hap larg trofeut të parë në ATP Finals

Tenis

Alcaraz siguron finalen në Torino, një hap larg trofeut të parë në ATP Finals

Nga: B.S. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 17:03
Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz

Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz është finalisti i parë i turneut përmbyllës të sezonit, ATP Finals, që po zhvillohet në Torino.

Numri një i tenisit botëror siguroi kualifikimin në finale pasi mposhti amerikanin Ben Shelton me rezultatin 2:1 në sete, 3-6, 6-3, 7-6 (7-1).
Në finalen e së dielës, Alcaraz do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, ku takohen gjermani Alexander Zverev dhe rusi Daniil Medvedev. Kjo përballje zhvillohet të shtunën në mbrëmje.

Përmbysje dhe triumf në taj-break

Shelton e nisi fuqishëm takimin, duke krijuar epërsi 3-0 në setin e parë, të cilin e fitoi me rezultatin 6-3.

Alcaraz reagoi në setin e dytë, duke rikthyer baraspeshën me një fitore 6-3.

Seti vendimtar ishte shumë i luftuar dhe asnjëri prej tenistëve nuk arriti të fitojë një game në shërbimin e kundërshtarit. Gjithçka u vendos në taj-break, ku Shelton kaloi fillimisht në epërsi 1-0.

Megjithatë, spanjolli më pas realizoi shtatë pikë radhazi dhe fitoi taj-breakun 7-1, duke siguruar biletën për në finale.

Alcaraz kërkon trofeun e parë në Torino

Kjo fitore e afron Alcarazin me një sukses të rëndësishëm, pasi ai ende nuk ka arritur ta fitojë trofeun e ATP Finals në karrierën e tij.

Njëkohësisht, spanjolli mori revanshin ndaj Sheltonit për humbjen e pësuar në US Open të këtij viti.

Pas rikthimit në fushë nga lëndimi, gjatë tre muajve të fundit, Alcaraz ka pësuar vetëm dy humbje, ndaj Sheltonit dhe belgut Zizou Bergs në Shangai.

Kjo ishte përballja e gjashtë mes Alcarazit dhe Sheltonit, ndërsa spanjolli tashmë kryeson bilancin e ndeshjeve direkte me 5-1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat