Tenisti spanjoll ka anuluar seancën stërvitore të së enjtes, të planifikuar për në orën 13:00.
Carlos Alcaraz ndodhet në Institutin e Mjekësisë Sportive në Torino, pranë palestrës Inalpi Arena, ku po i nënshtrohet një rezonance magnetike për të përcaktuar shkallën e problemit në muskulin e pasmë të kofshës së majtë.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Marca”, ekzaminimi do të tregojë nëse tenisti spanjoll ka pësuar ndonjë dëmtim që mund ta pengojë të vazhdojë garimin në ATP Finals dhe në Kupën Davis, e cila zhvillohet javën e ardhshme.
Në pamjet e publikuara, Alcaraz shihet i shoqëruar nga mjekët e qendrës.
Pranë tij janë edhe mjeku personal Juanjo López, fizioterapisti Juanjo Moreno dhe përgatitësi fizik Alberto Lledó.
Tenisti nga El Palmar ka vendosur të anulojë stërvitjen e paraparë për orën 13:00, në mënyrë që të mos rrezikojë më tej gjendjen e tij fizike.
Alcaraz ndjeu shqetësime në muskulin e pasmë të kofshës në lojën e parë të setit të dytë, gjatë ndeshjes kundër Daniil Medvedevit.
Ai priti ndërrimin e anëve për të kërkuar ndërhyrjen e fizioterapistit të turneut, i cili ia fashoi zonën e prekur.
Pavarësisht shqetësimit, spanjolli arriti ta përfundonte ndeshjen pa probleme të dukshme.
Kalendar i ngjeshur për Alcarazin
Alcaraz e ka siguruar tashmë kualifikimin në gjysmëfinale të ATP Finals, që do të zhvillohet të shtunën. Për këtë arsye, në Torino i kanë mbetur të paktën edhe dy ndeshje për t'i zhvilluar.
Të premten ai do të përballet me Flavio Cobollin, i cili tashmë është eliminuar nga gara.
Ndërsa të shtunën, nga ora 14:30, do të luajë për një vend në finale kundër tenistit që përfundon i dyti në grupin John McEnroe.
Një tjetër shqetësim është edhe Kupa Davis, faza finale e së cilës zhvillohet nga 24 deri më 29 nëntor.
Kujtojmë se Alcaraz ishte detyruar të mungonte edhe në edicionin e kaluar të Kupës Davis për shkak të një edeme në muskulin e pasmë të kofshës.
Tashmë, gjithçka varet nga rezultatet e rezonancës magnetike, të cilat do të përcaktojnë nëse Alcaraz mund të vazhdojë garimin në turneun e Torinos dhe të jetë i gatshëm për Kupën Davis.