Alcaraz triumfon për herë të parë në Paris, mposht Sheltonin në një finale dramatike

Tenis

Alcaraz triumfon për herë të parë në Paris, mposht Sheltonin në një finale dramatike

Më: 8 nëntor 2026 Në ora: 17:51
Alcaraz triumfon në turneun e zhvilluar në sallën e Parisit.

Carlos Alcaraz vazhdon të shkëlqejë në tenis.

Spanjolli ka fituar turneun ATP Masters 1000 në Paris, pasi në finalen e madhe mposhti amerikanin Ben Shelton me rezultat 2:0 në sete, 7:6 (7:5), 7:5.

Ky është triumfi i parë i Alcarazit në turneun e Parisit, i cili tashmë zhvillohet në arenën madhështore “La Defense”.

Numri tre i tenisit botëror konfirmoi formën e shkëlqyer, pasi dy javë më parë kishte triumfuar edhe në Vjenë.

Finalja ndaj Sheltonit ishte mjaft e luftuar. Në setin e parë, Alcaraz u përball me disa momente të vështira, duke shpëtuar plot gjashtë mundësi për break të kundërshtarit. Asnjëri prej tenistëve nuk arriti të fitojë game në shërbimin e tjetrit, kështu që fituesi u vendos në tie-break.

Në këtë fazë, spanjolli tregoi më shumë qetësi dhe fitoi me rezultat 7:5, duke marrë setin e parë.

Në setin e dytë, Shelton arriti të bëjë break dhe kaloi në epërsi 3:2. Megjithatë, Alcaraz reagoi shpejt, riktheu baraspeshën në 4:4 dhe më pas vazhdoi me lojë të sigurt.

Pasi kaloi në epërsi 6:5, spanjolli realizoi edhe një break tjetër, duke e fituar setin 7:5 dhe duke siguruar trofeun e Parisit.

Me këtë sukses, Alcaraz ka fituar tashmë shtatë nga nëntë turnetë Masters 1000 në kalendarin e tenisit. Dy turnetë që ende i mungojnë në koleksionin e tij janë Canadian Open dhe Shanghai Masters.

Një tjetër sukses i madh për tenistin spanjoll, i cili po konfirmon statusin e tij në elitën e tenisit botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat