Kombëtarja e Zvicrës në Billie Jean King Cup humbi ndeshjen e plejofit kundër nikoqires, Tajlandës, në Nonthaburi.
Simona Waltert dhe Naïma Karamoko pësuan humbjen vendimtare në garën e dysheve.
Si pasojë, Zvicra bie në grupin rajonal të këtij kompeticioni.
Simona Waltert dhe Naïma Karamoko u mposhtën nga dyshja tajlandeze Thasaporn Naklo dhe Peangtarn Plipuech, pas 3 orësh e 2 minutash lojë, me rezultatin 1:2 ( 6:3, 6:7 (7:9) dhe 3:6).
Ndeshja ishte një përsëritje e asaj që kishte ndodhur në dy takimet individuale të së shtunës, të cilat Waltert dhe Jil Teichmann i kishin humbur. Tenistet zvicerane fituan setin e parë dhe kishin epërsi edhe me një break në setin e dytë, por nuk arritën ta ruanin avantazhin.
Tenistet tajlandeze u treguan kundërshtare mjaft këmbëngulëse dhe dukshëm u përshtatën më mirë me kushtet e vështira atmosferike, ku temperaturat arrinin deri në 40 gradë Celsius.
Në fillim të setit të tretë, Waltert u detyrua të kërkonte një ndërprerje mjekësore (Medical Timeout). Pas rikthimit në fushë, zviceranet arritën ta barazonin rezultatin në 3:3, por menjëherë pësuan një tjetër break. Këtë disavantazh nuk arritën më ta rikthenin.
Dallimin në këtë përballje e bënë rastet për break. Waltert dhe Karamoko, të cilat vetëm dy javë më parë kishin fituar turneun WTA 250 në Chennai të Indisë, krijuan plot 19 mundësi për break, por shfrytëzuan vetëm katër prej tyre. Në anën tjetër, tajlandezet realizuan pesë nga tetë mundësitë e krijuara.
Përveç kësaj, dyshja zvicerane regjistroi 12 gabime në shërbim (double faults), ndërsa kundërshtaret e tyre vetëm pesë.
Tajlanda shkruan historinë
Pas 11 vjetësh, Zvicra bie sërish në grupin rajonal dhe do të duhet të presë deri në fund të vitit 2027 për të pasur një mundësi tjetër për t'u kualifikuar në grupin botëror.
Kjo rënie vjen vetëm katër vjet pas triumfit të Zvicrës në këtë kompeticion.
Në anën tjetër, në Tajlandë mbizotëron festa. Përfaqësuesja tajlandeze, për herë të parë në historinë e saj, arrin të ngjitet në kategorinë më të lartë të garës ekipore për përfaqësueset kombëtare të femrave.