Bici: Ju tregoj volejbollin në pandemi

Volejboll

Bici: Ju tregoj volejbollin në pandemi

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 12:44
Bici: Ju tregoj volejbollin në pandemi

Pandemia globale ka kushtëzuar të gjithë sistemin sportiv në mbarë botën. Erblira Bici kapitenia dhe liderja e Kombëtares kuqezi të volejbollit, e cila prej disa vitesh luan në Serinë A në Itali, këtë sezon kaloi në radhët e ekipit të Kuneos.

Por muajt e parë nuk kanë qenë aspak të lehtë për 25-vjeçaren, për vetë situatën e vështirë me COVID-in. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bici tregon volejn në kohë pendemie, eksperiencën dhe objektivat me skuadrën e re. Ajo gjithashtu ndalet edhe të situata me sportin e rrjetës në Shqipëri, me sallat sportive që qëndrojnë të kyçura që prej muajit mars.

Erblira, si po shkon sezoni te Kuneo?

Normalisht ky është një vit me jo pak vështirësi në aspektin personal. Fillimisht viti nisi me një dëmtim në dorën e majtë, që më ndaloi për 3 ndeshjet e para të sezonit. Detyrimi që kisha për rikthimin sa më të shpejtë deri diku i përshpejtoi procedurat, por pa ndikuar në shëndetin tim. Në momentin kur u riktheva, pati një stop të dytë për shkak se 9 vajza nga ekipi dhe një numër i madh pjesëtarësh të stafit u infektuan me COVID. Pas rikthimit nga infektimi rezultatet nuk patën vazhdimësinë e mëparshme. Shpresoj që në vazhdimësi të rikuperojmë dhe pikë të cilat janë shumë të rëndësishme për ne.

Cilët objektivat që keni në këtë edicion?

Kuneo këtë vit mund të themi se ka krijuar një ekip me vajza të reja me perspektivë, por me objektiva modestë. Objektivi është të klasifikohemi sa më lart në renditje dhe, pse jo, të jemi pjesë e “play off”-it.

Si do ta përshkruani volejbollin në kohë pandemie? Sa ka ndryshuar?

Volejbolli mbetet i njëjti sport agonistik dhe kompetitiv, por kohët e fundit zhvillimi i ndeshjeve në ambiente pa tifozë e kthen këtë sport kaq të bukur në diçka rutinë. Shpresoj që të rikthehen sa më shpejt, jo vetëm Kuneo me tifozët e saj, por çdo sport të ketë përkrahësit në tribunat përkatëse.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha për ju në një periudhë të tillë?

Siç thashë dhe pak më parë, fatmirësisht unë nuk u preka nga virusi, në një valë që përfshiu gjithë skuadrën time. Kjo krijon një detyrim për t’u kujdesur dyfish. Përveç kësaj, është edhe kujdesi në pikëpamjen e dëmtimeve. Të gjithë sportistët e dinë se dëmtimet vijnë si pasojë e një sërë problemeve, por kryesisht nga mbingarkesa. Vetë kampionati këtë vit krijon mbingarkesë dhe kjo e bën më të vështirë rikuperimin e kondicionit fizik.

Ku e gjen forcën Erblira Bici në një kohë si kjo?

Te familja që më mbështet në çdo moment të vështirë dhe pa dyshim dëshira për të dhënë më të mirën.

Shqipëria, siç dihet, ka mbetur vendi i vetëm në Europë që vazhdon ta ndalojë volejbollin për shkak të pandemisë. Cili është komenti juaj për këtë situatë?

Nuk kam koment të drejtpërdrejtë për këtë gjë, por situatën në Shqipëri e shoh në dy aspekte. E para janë vështirësitë që kanë klubet në mbledhjen e financave. Në këtë moment ky është një problem botëror që ka bërë klube të mëdha të shkojnë drejt falimentimit. Në këtë pikëpamje kjo krijon vështirësi dhe hendeqe më të mëdha për të ardhmen, nëse mendojmë se një sezon sportiv mbyllet.

Nga ana tjetër unë mund të konfirmoj që ekipet në Itali bëjnë mbi 12 tamponë në muaj dhe rregullat janë shumë strikte. Nuk jam e bindur që kjo gjë mund të arrihet në Shqipëri dhe siç po shikojmë kjo pandemi rrezikon këdo. Në vështirësinë që ndodhet sporti botëror në përgjithësi dhe shqiptar në veçanti mendoj se duhet patjetër një paketë financiare ose ligj nga shteti që të nxisë investimin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat