Pesë lojtarë me Covid 19 te Studenti

Volejboll

Pesë lojtarë me Covid 19 te Studenti

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 11:04
Pesë lojtarë me Covid 19 te Studenti

Studenti në volejboll për meshkuj është goditur nga infektimet me COVID, ndërsa nuk do të zbresë në parket as për ndeshjen e javës së tretë të Superligës. Kështu, pas shtyrjes së sfidës me Teutën, skuadra studentore nuk do të luajë as këtë javë ndaj Partizanit.

Pas testeve rutinë të COVID-it, disa ditë më parë, te Studenti kanë rezultuar 5 lojtarë pozitivë. Në klub bëjnë të ditur se lojtarët nuk kanë simptoma dhe gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa janë zbatuar të gjitha protokollet me karantinimin e tyre, duke ndërprerë për ditë me radhë edhe stërvitjet.

Por tashmë gjithçka është nën kontroll dhe skuadra do të rifillojë nga puna për të përgatitur ndeshjet e ardhshme, ku menjëherë pas karantinës, grupit do t’i bashkohen edhe lojtarët e karantinuar.

Ndeshjet e shtyra pritet që të rikuperohen javët në vijim.

Ndërkohë, Superliga e volejbollit për meshkuj sot do të nisë normalisht ndeshjet e javës së tretë, me takimin hapës ndërmjet Erzenit dhe Tiranës, sfidë që do të nisë në orën 18:00 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë.

Pritet një përballje e nxehtë, pasi bëhet fjalë për dy skuadra pretendente. Të shtunën do të luhen takimet e radhës: Teuta-Skënderbeu (13:00) dhe Farka-Elbasani (18:00).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat