Thyen Tiranën në finalen e parë

Volejboll

Thyen Tiranën në finalen e parë

Më: 29 prill 2022 Në ora: 11:13
Thyen Tiranën në finalen e parë

Është Skënderbeu skuadra fituese e finales së parë në Superligën e volejbollit për femra.

Të mbështetura nga një publik i zjarrtë, me mbi 2 mijë tifozë që kishin mbushur pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, korçaret e dominuan ndeshjen e djeshme kundër Tiranës, duke hedhur hapin e parë drejt titullit kampion.

Ndërsa nga ana tjetër, kryeqytetaset u panë në vështirësi dhe gabuan shumë, e tashmë e fillojnë me malore serinë e finaleve.

NDESHJA – Seti i parë nisi me rivalitet të lartë. Gradualisht Tirana filloi ta diktonte lojën, duke marrë edhe kryesimin me 5 pikë, 16-21.

Por kur dukej se ky fraksion do të shkonte në favor të vajzave bardheblu, kryeqytetaset “fiken” në momentin deciziv, ndërsa Skënderbeu merr zemër dhe nis ofensivën për përmbysjen.

Gjithçka vendoset në pikët shtesë, ndërsa ishte Auramchyk ajo që realizoi pikën e fundit duke vulosur setin 27- 25, për të kaluar në delir tifozërinë korçare.

Në setin e dytë nuk kishte shumë histori, pasi Skënderbeu dominoi në çdo aspekt, ndërsa pika e fundit erdhi direkt nga shërbimi, me protagoniste Fasulevën, që mbylli setin në shifrat 25-15 për vendëset.

Seti i tretë ishte më i ekuilibruar, megjithatë vendëset ishin thuajse gjatë gjithë kohës në epërsi. “Match point”-i pati për protagoniste Atepalinën, që vulosi setin 25- 21, duke mbyllur historinë e një takimi që zgjati 1 orë e gjysmë. Për sa u përket paraqitjeve individuale, rusja Anastasia Atepalina me 18 pikë ishte lojtarja me rendimentin më të lartë në sulmin e Skënderbeut.

Shkëlqeu gjithashtu edhe kapitenia Elena Bego, autore e 13 pikëve. Ndërkohë, në radhët e Tiranës, pikëshënuesja më e mirë ishte kapitenia Xhenifer Pira me 8. Ndërsa amerikanet Van der Meer dhe Oestreich bënë një ndeshje nën pritshmëritë.

PANDI KAPEDANI – Pas ndeshjes trajneri i skuadrës korçare, Pandi Kapedani, e komentoi kështu suksesin e skuadrës: “Ishte një ndeshje që i kishte të gjitha dhe rezultati nuk tregon asgjë.

Para një publiku të tillë është e vështirë të luash, edhe pse i kishim në favorin tonë. Arritëm që të rregullojmë disa gabime në bllok dhe në pritjen e topit të parë dhe jam i kënaqur me fitoren.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat