Skenderaj shpallet kampion

Volejboll

Skenderaj shpallet kampion

Më: 15 maj 2022 Në ora: 23:31
Skenderaj shpallet kampion në grupmoshën U18

Ekipi KV 'Skenderaj' ka siguruar titullin e kampionit në grupmoshën U18, pasi triumfoi në final four, ku në finalen e madhe mposhti nikoqirin e kësaj gare, KV 'Malishevën' me rezultat 2-3 (24:26,27:25,25:14,21:25,10:15).

Ishte një paraqitje brilante nga të dy ekipet, të cilat luftuan për çdo pikë, siç e nënvizon edhe rezultati i ngushtë në pothuajse secilin set.

I pari i takoi vashave nga Skenderaj, të cilat u desh të luftonin shumë për të fituar këtë set, por nikoqiret arritën të rikthehen fuqishëm në dy setet pasues, duke i fituar falë një vetmohimi të pashoq.

Mirëpo, Skenderaj tregoi shpirt të vërtetë kampioni derisa shfaqi karakter të fortë fituesi për të përmbysur rezultatin, duke i fituar dy setet pasuese për t'u shpallur eventualisht kampion.

Në praninë e një numri të konsiderueshëm të fansave në tribuna, dy ekipet treguan spektakël të njëmendtë volejbolli, që karakterizohet vetëm në një ndeshje finale si kjo e sotmja.

Medaljet për vendin e dytë u ndanë nga anëtari i bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Mehani.

Kampionet u dekoruan nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Malishevës, Argjend Thaqi dhe Komesari i Garave, Ardian Ibraj, ndërsa Kupa u dhurua nga Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi.

Kujtojmë se për të ardhur deri këtu, në gjysmëfinale të playoffit, Malisheva kishte mposhtur Dritën me rezultat 2-1 në sete. Në anën tjetër, Skenderaj me rezultat të njejtë triumfoi kundër Ferizajt në gjysmëfinalen tjetër.

Federata e Volejbollit të Kosovës uron Skenderajn për titullin e kampionit dhe përgëzon të gjitha ekipet pjesmarrëse në këtë final four për kompetitivitetin e treguar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat