Shqipëria përmbys Bosnjën

Volejboll

Shqipëria përmbys Bosnjën

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 23:52
Shqipëria 

Kombëtarja e meshkujve në volejboll fitoi mbrëmjen e sotme 3:2 ndaj Bosnjë-Herzegovinës, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit, sfidë e luajtur në “Feti Borova”.

Një fitore me përmbysje e skuadrës kuqezi, që pas disavantazhit 0-2 pas dy seteve të para arrin të rikuperojë, duke fituar tri setet e tjera.

Fitore me vlera edhe për faktin se në fushë u dëmtuan dy lojtarë kryesorë, si Qafarena e Deliu, por skuadra arriti të ngrihet dhe të bëjë një paraqitje të mirë. Ndeshja nisi më mirë për miqtë nga Bosnja, që përfitoi nga gabimet e shumta të kombëtares kuqezi, duke fituar me lehtësi 25-19 e 25-11 dy setet e para.

Më pas, loja ndërron krejtësisht kah. Djemtë e trajnerit Jani Melka “zgjohen” dhe në fushë shihet një kombëtare krejt ndryshe, që gabon më pak dhe mbron më mirë. Kuqezinjtë dominojnë në fushë dhe fitojnë 25-22 setin e tretë e 25-21 setin e katërt, duke rihapur ndeshjen.

Seti final është mjaft dramatik edhe pse shumicën e kohës komandohet nga volejbollistët shqiptarë. Pas barazimit 12-12, Shqipëria shkëputet e fiton 15-13, duke korrur suksesin e parë në Grupin G. Ndeshja e radhës nesër në kryeqytet sërish ndaj Bosnjës, pas marrëveshjes që kanë arritur dy Federatat për t’i luajtur dy takimet në Tiranë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat