Donald Suxho dhe Erblira Bici nderohen me titullin e veçantë

Volejboll

Donald Suxho dhe Erblira Bici nderohen me titullin e veçantë

Më: 28 janar 2023 Në ora: 19:31
Donald Suxho dhe Erblira Bici nderohen me titullin e veçantë

Federata Shqiptare e Volejbollit ka vendosur që të nderojë dy figura të rëndësishme të volejbollit në vendin tonë, emra të cilët kanë bërë emër edhe në arenën ndërkombëtare duke lënë shenjë me paraqitjet e tyre.

Donald Suxho, i cili tashmë është trajner në Kosovë, por edhe Ebrlira Bici, e cila vazhdon karrierën e saj të suksesshme në Itali, janë nderuar me titullin “Ambasador i Volejbollit Shqiptar”, që u jepet pikërisht për këtë kontribut që japin jashtë kufijve të vendit tonë.

“Federata Shqiptare e Volejbollit i jep titullin “Ambasador të Volejbollit Shqiptar” dy figurave të saj të cilët me punën dhe pasionin e tyre kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë volejbollin shqiptar në nivelet më të larta europiane e ato botërore.

Ky titull honorifik jepet për Erblira Bicin dhe Donald Suxho të cilët po krijojnë ura bashkëpunimi midis klubesh dhe shoqatave shqiptare për zhvillimin e projekteve të ndryshme për sportin në përgjithësi e volejbollin në veçanti, midis vendeve ku ata zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Federata Shqiptare e Volejbollit i uron suksese të mëtejshme në misionin e tyre.

Faleminderit kampionë!”, shkruhej në njoftimin e Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Nuk mund të mungonin falënderimet nga kampionia Bici, e cila prej disa vitesh po spikat në volejbollin e klubeve në Itali.

“Falënderoj presidentin Erli Pëllumbi dhe Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Volejbollit për vlerësimin. Shpresoj që kontributi im modest të ndihmojë sadopak në rritjen e volejbollit shqiptar”, shkruante sportistja shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat