Talentja e madhe e Kosovës, Era Fetahu: Ndihem e privilegjuar që jam pjesë e kombëtares 

Volejboll

Talentja e madhe e Kosovës, Era Fetahu: Ndihem e privilegjuar që jam pjesë e kombëtares 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 1 shkurt 2023 Në ora: 12:36
Era Fetahu

Në sporte të ndryshme në Kosovë, veçohen disa nga talentet, ndër to është edhe volejbollistja e talentuar e klubit Prishtina F, Era Fetahu, anëtare e kombëtares së Kosovës U-17.

Era është prej volejbollisteve më të talentuara dhe në një të ardhme të afërt, do të jetë edhe bartëse e lojës.

Vajza nga kryeqyteti, i ka të gjitha predispozitat dhe luan me sukses në pozitën e qendrës, gjithnjë e frikshme për rivalet.

Image

Lojërat e saja brilante i bien në sy edhe selektorit të Kosovës U17, Donald Suxho, duke e ftuar në kombëtare për ndeshjet e rëndësishme të kualifikueseve për CEV Kampionatin Evropian U17.

Era në secilën ndeshje po dëshmohet me lojërat e saja dhe është një emër që po vjen në sportin skofiar.

Image

Ajo nuk ndalet për asnjë moment, duke punuar me intensitet të shtuar që të përsoset në çdo element që një ditë të arrijë në majën e këtij sporti.  

Era është krenare që me kombëtaren e Kosovës U17 u kualifikuan në raundin e dytë të CEV Kampionatin Evropian U17.

Përveç si sportiste që nuk e ka shoqen, është edhe nxënëse shembullore.

“Bota sot" Si iu lindi dashuria për sportin e volejbollit, kush ishte sebep që iu shtyri në këtë sport?

Era Fetahu: Sporti ka qenë dhe vazhdon te jetë pjesë e përditshmërisë për mua dhe familjen time.

Qe nga e vogël babai ka qenë personi i cili me ka inkurajuar te merrem me çfarë do aktiviteti sportiv por aty ku e gjeta vetën më së shumti ishte volejbolli.

“Bota sot”: Si ndjeheni që jeni pjesë e kombëtares së Kosovës U-17, kombëtare që shënoi sukses të madh ditë më parë, siguroi për herë të parë kalimin në raundin e dytë të kualifikimeve për CEV Kampionatin Evropian?

Era Fetahu: Ndihem më se e privilegjuar të jem pjesë e kombëtares U17 dhe të kem mundësi të punoj me njerëz që kanë aq shumë dijeni dhe përvojë në fushën e sportit posaçërisht te volejbollit.

"Bota sot": Tre fitore, dy kundër Moldavisë dhe një ndaj Malit të Zi U-17, çfarë e ka veçuar ekipin?

Era Fetahu: Mendoj se neve si ekip na veçoj dëshira për fitore. Punuam shumë dhe në fund u shpërblyem për punën tonë.

"Bota sot": Jeni pjesë e KV Prishtina F, ekip që përbëhet me lojtare të reja dhe të talentuar, çfarë iu veçon nga ekipet tjera në Superligën B? 

Era Fetahu: Ne Superligën B ekipi ynë KV Prishtina F ka lojtare kryesisht të reja në moshë, duke përfshirë edhe veten. Ne kemi mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga trajnerja jonë Hadije Rama, por edhe nga lojtaret veterane të ekipit gjë që na shtynë drejt suksesit dhe na veçon si skuadër.

"Bota sot": Cilat janë synimet si Era Fetahu por edhe me ekipin Prishtina F?

Era Fetahu: Synimet e mia momentalisht janë që të kam paraqitje sa më të mirë në përfaqësuesen e Kosovës por gjithashtu edhe me ekipin tim në Superligën B. Por synimi im i përgjithshëm është dhe gjithmonë do të jetë fitorja, pavarësisht se ku luaj.

"Bota sot": Nxënëse e dalluar dhe në anën tjetër volejbolliste e talentuar, sa është vështirë që të merresh edhe me shkollim edhe me sport?

Era Fetahu: Balancimi mes shkollës dhe sportit nuk është gjë aspak e lehtë, sidomos për mua që mundohem të jep maksimumin në të dyja anët, por mendoj që është gjë e arritshme dhe se duhet te bëhet nga sportistet e reja të cilat ende janë në shkollë.

Image

"Bota sot": Cilën volejbolliste e keni idhull dhe ekip për zemër në Kontinentin e Vjetër?

Era Fetahu: Lojtaret e mia te preferuara janë Paola Egonu dhe Gabi Guimaraes të cilat kam pasur nderin t’i shoh duke luajtur për “VakifBank” gjatë kohës që ishim në Turqi me kombëtare.

"Bota sot": Cila është porosia për bashkëmoshataret tuaja?

Era Fetahu: Porosia ime është që të punojnë me dëshirë dhe të mos lejojnë fjalët demotivuese të të tjerëve të ndikojnë në ëndrrat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat