Nis sot me sfidën e dyfishtë Vllaznia-Partizani

Volejboll

Nis sot me sfidën e dyfishtë Vllaznia-Partizani

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 11:49
Nis sot me sfidën e dyfishtë Vllaznia-Partizani

Pas një pauze prej më shumë se dy muajsh, kampionatet kombëtare të volejbollit për femra dhe meshkuj do të nisin sot fazën e dytë, duke ngritur kështu siparin e javës së tetë.

Superliga e femrave do të hapet me ndeshjen e sotme në orën 16:00, me Vllazninë që pret Partizanin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Të kuqet, nën drejtimin e trajnerit turk Hakki Ertan Albayrak udhëtojnë drejt Shkodrës si kryesuese me pikë të plota pas fazës së parë.

Ndërkohë vajzat kuqeblu vijnë në këtë pjesë të dytë të sezonit me shumë ndryshime, pasi siç dihet tashmë janë larguar të gjitha lojtaret e huaja.

Sfidat e tjera do të zhvillohen nesër, teksa fillimisht në orën 13:00, Korabi luan si pritës në Farkë kundër Barletit.

Në të njëjtën sallë në orën 15:00 do të zhvillohet edhe ndeshja Lushnja-Teuta, ndërsa me takimin Tirana-Skënderbeu në orën 17:00 në sallën “Farie Hoti” do të kompletohet java e tetë.

Ndërkohë për sa i përket Superligës së meshkujve, ashtu sikurse edhe te femrat, java e tetë do të hapet në Shkodër me ndeshjen Vllaznia-Partizani, takim që nis në orën 18:00.

Shkodranët e kanë mbyllur fazën e parë në vend të katërt, ndërsa të kuqtë e trajnerit Ylli Tomorri pozicionohen në vend të dytë, me pikë të barabarta me Tiranën kryesuese, por me setavarazh më të dobët.

Tri përballjet e tjera do të luhen nesër, fillimisht Tirana pret në orën 15:00 Skënderbeun në “Farie Hoti”.

Më pas në orën 17:00 Elbasani luan në fushën e tij kundër Studentit, ndërsa takimi mbyllës do të jetë në orën 18:00 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, aty ku Erzeni pret Teutën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat