Partizani kalon me 3 sete edhe Skënderbeun

Volejboll

Partizani kalon me 3 sete edhe Skënderbeun

Më: 22 mars 2025 Në ora: 12:13
Partizani

Partizani mbetet një ekip i pakonkurrueshëm në volejbollin e meshkujve në Shqipëri. Pasi kanë futur në kasafortë katër trofe sezonalë, Kupën e Shqipërisë, Kupën e FSHV-së, Ligën “Gjegj Kastrioti” dhe Kupën Pavarësia, të kuqtë e Ylli Tomorrit marshojnë të sigurt edhe në kampionat.

Në ndeshjen e djeshme të vlefshme për javën e 13-të të Superligës, Partizani likuidoi kundërshtarin më të afërt në renditje, Skënderbeun e vendit të dytë. Kryeqytetasit triumfuan në “Asllan Rusi” me rezultatin 3-0, duke regjistruar fitoren e 12-të të pastër në po kaq takime të luajtura në kampionat.

Edhe në këtë ndeshje, Partizani tregoi organizim dhe përqendrim maksimal që në fillim, duke e marrë setin e parë 25-19. Në setin e dytë loja ishte me shumë rivalitet, ndërsa Partizani fitoi pas pikëve shtesë 26-24. Seti i tretë nuk kishte histori, i mbyllur 25-14 për të kuqtë, që e vulosën ë gjithë sfidën për 72 minuta. Braziliani Coutinho, me 21 pikë, ishte shënuesi më i mirë në radhët e kampionëve në fuqi.

Për korçarët shënuesi më i mirë ishte amerikani Caylor Cox, me 15 pikë. Në ndeshjen hapëse të javës, Tirana mundi Elbasanin e vendit të fundit me rezultatin 3-1, takim i zhvilluar të enjten në “Farie Hoti”. Skuadra e Arben Sakos dominoi në setin e parë, duke fituar 25-16, por bardheblutë lëshuan terren në të dytin, me Elbasanin që e mori setin 21- 25, duke vendosur baraspeshën.

Megjithatë Tirana mori pa probleme dy setet e radhës në shifrat 25-16 dhe 25-14, duke vulosur fitoren në harkun kohor të 90 minutave. Lojtar i ndeshjes ishte meksikani Isaias Aguirre, autor i 27 pikëve për kryeqytetasit. Për Elbasanin shënuesi më i mirë ishte Andi Garunja me 15 pikë. Java e 13-të do të mbyllet të shtunën me përballjen Teuta-Vllaznia, në orën 16:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat