Superliga e volejbollit të meshkujve ka mbyllur dje sezonin e rregullt me ndeshjet e javës së 14-të.
U regjistruan tri fitore në transfertë, ku spikati suksesi i Tiranës në Korçë kundër Skënderbeut.Bardheblutë fituan me rezultatin 2-3 në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, duke e mbyllur kampionatin në vend të tretë, ndërsa korçarët e kishin siguruar vendin e dytë.
Takimi nisi më mirë për Skënderbeun, i cili fitoi setin e parë 25-20, ndërsa skuadra e Arben Sakos riktheu baraspeshën duke marrë setin e dytë 22-25. Vendësit kaluan sërish përpara, teksa fituan 25-18 në setin e tretë, por më pas kryeqytetasit përmbysën gjithçka.
Kështu Tirana fitoi setin e katërt 19- 25, për t’i mbyllur llogaritë, duke marrë edhe setin final 11-15.
Fitore me përmbysje edhe për Studentin, që kaloi Vllazninë në Shkodër me rezultatin 1-3 (26-24, 20-25, 20-25, 16-25).
Skuadra e drejtuar nga Kestrin Batalli e përfundon kampionatin në vend të katërt, ndërsa shkodranët në vendin e gjashtë. Gjithashtu, me përmbysje në shifrat 1-3 (25-22, 19-25, 20- 25, 12-25) triumfoi edhe Teuta kundër Elbasanit.
Durrsakët e mbyllin në vend të pestë, ndërsa elbasanasit të fundit me zero pikë. Kështu, Superliga e meshkujve ka dhënë verdiktet sezonit të rregullt, me Partizanin që shkon në “play off” si vend i parë, në një sezon të dominuar, me të gjitha fitore të pastra.
Skënderbeu gjithashtu kalon në “play off” si vend i dytë, ndërsa në para “play off” do të luhen sfidat Tirana-Vllaznia dhe Studenti-Teuta. Tashmë sporti i rrjetës do të nisë pjesën e nxehtë të kampionatit, aty ku do të luhen shanset për trofeun më të rëndësishëm kombëtar.