Skënderbeu dhe Tirana do të zbresin sot në parket për finalen e parë “play off” në Superligën e volejbollit për femra. Korçaret dhe vajzat bardheblu do të matin forcat në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, takim që do të nisë në orën 17:00.
Një finale që pritet me shumë interes në Korçë, ku si gjithnjë në takime të rëndësishme publiku vendës garanton mbështetje të madhe për vajzat e drejtuara nga Orlando Koja.
Përsa i përket rrugëtimit për në finale, pasi e mbylli sezonin e rregullt në krye, Skënderbeu eliminoi me 3 ndeshje Pogreadecin.
Tirana e përfundoi sezonin e rregullt në vend të dytë, ndërsa në gjysmëfinale kaloi me 2 takime Partizanin. Vajzat bardheblu të trajnert Adrian Gorenca kanë dalë triumfuese nga dy transfertat e fundit në Korçë, duke ngritur edhe Kupën e Shqipërisë.
Gjithsesi, tashmë është radha e finaleve dhe nuk ka vend për llogari, me Skënderbeun që do të kërkojë mbrojtjen e fronit, ndërsa Tirana synon trofeun që mungon që prej vitit 2013 në shtëpinë bardheblu.