Finalja e madhe e Raiffeisen Superligës A (Femrat) ka filluar me një tjetër paraqitje të fuqishme nga kampionet aktuale, Fer Volley.
Skuadra ferizajase regjistroi fitoren e saj të 24-të radhazi në këtë sezon të jashtëzakonshëm, duke mposhtur Skënderajn me rezultat 3:1 në ndeshjen e parë të serisë finale.
Seti i parë ishte i ekuilibruar në fillim, por Fer Volley shfaqi stabilitet më të madh në fund, duke kontrolluar ritmin dhe duke e fituar 25:21 me një bllok fantastik dhe shërbim agresiv.
Skënderaj reagoi në setin e dytë me lojë të disiplinuar dhe pritje të mirë.
Ato ruajtën epërsinë që nga fillimi dhe me një organizim të mirë në sulm, e barazuan rezultatin në 1:1 pas fitores 25:20.
Seti i tretë ishte totalisht në dominimin e Fer Volley.
Lojtaret ferizajase u rikthyen me më shumë energji dhe efikasitet në sulm, duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit dhe duke fituar bindshëm 25:16.
Në setin e katërt, Skënderaj luftoi fort dhe ishte pranë dërgimit të ndeshjes në setin vendimtar, por përvoja dhe qetësia e Fer Volley në momentet vendimtare vendosën gjithçka.
Vendaset e mbyllën setin me 25:23 dhe ndeshjen me 3:1, duke marrë epërsinë 1:0 në serinë finale.
Titulli i kampionit do t’i takojë skuadrës që e fiton serinë me tri ndeshje.