Fer Volley ka bërë një hap të madh drejt titullit kampion në Raiffeisen Superligën A (Femrat), pasi triumfoi me rezultat 1:3 (25:21, 18:25, 23:25, 23:25) ndaj Skenderajt edhe në ndeshjen e dytë të finales kundër Skënderajt.
Seti i parë nisi më mirë për vendaset e Skënderajt, që shfrytëzuan entuziazmin dhe gabimet e vogla të Fer Volley për të fituar 25:21 dhe për të marrë avantazhin e hershëm.
Në setin e dytë, Ferizajaset reaguan fuqishëm. Me një lojë shumë të disiplinuar në mbrojtje dhe sulme të shpejta, ato dominuan ritmin e lojës dhe fituan bindshëm me 25:18, duke barazuar gjithçka.
Seti i tretë ishte një duel shumë i ngushtë, ku të dyja skuadrat shkëmbyen pikë për pikë deri në fund. Megjithatë, Fer Volley u tregua më e qetë në momentet vendimtare dhe fitoi 25:23.
Në setin e katërt, përsëri u pa një betejë e fortë dhe dramatike, por përvoja dhe cilësia e Fer Volley bëri diferencën, duke triumfuar sërish 25:23 dhe duke fituar ndeshjen 3:1.
Tashmë, Fer Volley i trajnerit Edon Ibrahimit është vetëm një fitore larg shpalljes kampion i Kosovës.
Në mesjavë, në ndeshjen e tretë që do të zhvillohet në palestrën “Bill Klinton” në Ferizaj, Fer Volley do të ketë mundësinë të mbyllë serinë dhe të festojë titullin para adhuruesve të vet.