Ka data që në historinë kombëtare janë më shumë se numra në kalendar. 6 maji është një prej tyre – dita kur lindi Skënderbeu, simboli i qëndresës shqiptare.
Por ndoshta pak kush e di se në të njëjtën ditë, shumë shekuj më vonë, lindi një tjetër luftëtare – këtë herë në fushën e sportit: Mimoza Shkodra.
Në lojën e volejbollit, ajo nuk kërkonte vetëm pikët – kërkonte dinjitetin.

Qëndronte në fushë me trupin e gjatë e të fortë, por me një zemër edhe më të madhe, që i jepte frymë çdo skuadre ku luante. Ishte ajo që fliste pak, por punonte shumë.
Që nuk dorëzohej – as kur loja bëhej e padrejtë, e as kur duhej të luftonte për respekt si grua në një botë që shpesh e sheh sportin me sy burrash.
Sot, ajo nuk është më vetëm sportiste.
Ajo është një zë.
Një zë i dijes, i përvojës, i guximit për të folur kur të tjerët heshtin.
Me tituj akademikë, me kontribute konkrete në zhvillimin e edukatës fizike, ajo është sot një shtyllë që e ndihmon sportin e Kosovës të mos i humbasë idealet.
E lindur në të njëjtën ditë me heroin tonë kombëtar – nuk është thjesht simbolikë.
Është thirrje.
Është kujtesë se edhe sot, edhe në kohë paqeje, ka njerëz që luftojnë – për të rinjtë, për barazi, për të drejtën për të ëndërruar në një fushë sportive.
Mimoza nuk është thjesht një emër i së kaluarës sportive që Gjilanasit dhe i gjithë volejbolli ne Kosovë e mbajnë mend ende shumë.
Ajo është një model që nuk vjetrohet. Sepse të jesh lindur më 6 maj – është më shumë se një datë. Është një mision.