Vashat e Vëllaznimit U18, kampione të Kosovës

Volejboll

Vashat e Vëllaznimit U18, kampione të Kosovës

Më: 11 maj 2025 Në ora: 22:36
Vashat e Vëllaznimit U18

Një tjetër sukses i madh për volejbollin gjakovar! Vashat e KV Vëllaznimi janë shpallur kampione të Kosovës në konkurrencën U18, duke e mposhtur në finale skuadrën e Suti Sport me rezultat 2:1 në sete (18:25, 25:18, 15:10).

Pas një fillimi më të ngadaltë në setin e parë, vajzat e Vëllaznimit treguan karakter të fortë dhe u rikthyen fuqishëm për ta fituar ndeshjen dhe për t’u ngjitur në majën e volejbollit për këtë grupmoshë.

Në gjysmëfinalet e zhvilluara po të njëjtën ditë, Vëllaznimi kishte eliminuar Gjinocin, ndërsa Suti Sport kishte kaluar Ferizajn pas një ndeshjeje me tri sete.

Ky është titulli i dytë brenda pak ditësh për moshat e reja të klubit gjakovar, pas suksesit edhe në kategorinë U16 — dëshmi e punës së strukturuar dhe përkushtimit të KV Vëllaznimi për rritjen e talenteve të reja.

Medaljet për të dy ekipet finaliste u ndanë nga anëtari i Bordit të FVK-së Merkur Zhubi, i shoqëruar nga gjyqtari me thirrje ndërkombëtare Burim Zymeri.

Trofeun e kampionit për ekipin fitues e dorëzoi komesari i garave në FVK, Ardian Ibraj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat