Kampionati i Kosovës në Beach Volley për grupmoshën U22 përfundon me sukses pas dy ditësh garë intensive të zhvilluara më 31 maj dhe 1 qershor 2025.
I organizuar nga Federata e Volejbollit të Kosovës në kuadër të kalendarit zyrtar të garave, ky aktivitet mblodhi së bashku talentët më premtues të volejbollit në dy kategori: meshkuj dhe femra.
Në garë morën pjesë 16 ekipe në kategorinë e meshkujve dhe 10 ekipe në atë të femrave. Ndeshjet u zhvilluan me sistem eliminimi të dyfishtë, duke garantuar më shumë duele për secilën skuadër dhe duke rritur emocionin e konkurrencës.
Gjatë dy ditëve të kampionatit u zhvilluan gjithsej 46 ndeshje – 30 në kategorinë e meshkujve dhe 16 në atë të femrave – të cilat sollën emocione, angazhim maksimal dhe momente të bukura sportive.
Në fund, triumfin në kategorinë e meshkujve e arriti dyshja Dilon Latifi dhe Erind Qalaj, të cilët u kurorëzuan kampionë pas një performance mbresëlënëse.
Në vendin e dytë u renditën Enes Shabani dhe Ylli Salihu, ndërsa vendi i tretë i takoi Florent Podrimqakut dhe Mustafë Thaqit.
Në kategorinë e femrave, kampionet e reja u shpallën Sibora Gashani dhe Jona Krasniqi, të ndjekura nga Amela Llugaliu dhe Driola Ajvazi në vendin e dytë, si dhe Eriona Ibraj me Floriana Berisha në vendin e tretë.
Medaljet u ndanë nga Sadik Gashi, drejtor i pishinës “Holiday Resort”, ndërsa kupat për ekipet fituese u dorëzuan nga Gëzim Brahimi, anëtar i Bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Kampionati dëshmoi rritjen e vazhdueshme të beach volley në Kosovë dhe potencialin e madh që kanë të rinjtë në këtë sport.