Agim Kasapolli: “Suksese të trilluara!”

Volejboll

Agim Kasapolli: “Suksese të trilluara!”

Më: 15 korrik 2025 Në ora: 20:11
Agim Kasapolli

Agim Kasapolli, legjenda e komentimit të Kosovës, ka analizuar rezultatet e volejbollit në Kampionatin Evropian U-16 (femrat) dhe në tërësi që po kalon ky sport ndër vite. 

““Suksese të trilluara!”

Një zotëri i rrëfen një miku të vet, i njohur për ndjenja të forta fetare, se kishte bërë një mëkat.

“Çfarë mëkati ke bërë?” – e pyet miku.

“Po ja,” – thotë zotëria, – “dal çdo mëngjes para pasqyrës dhe i them vetes: ‘Sa i aftë jam, sa i aftë jam!’”

“Rri i qetë,” – ia kthen miku. – “Ky nuk është mëkat. Ky është thjesht iluzion.”

Kjo histori më erdhi ndër mend kur pashë në rrjetin social të Federatës së Volejbollit të Kosovës një postim ku “suksesi” matet me numrin e lojërave të zhvilluara gjatë sezonit 2024/25. Postimi titullohej: “Edicioni i rekordeve”, me plot 1080 ndeshje të luajtura.

Sipas kësaj logjike, bordi i privatizuar i kësaj federate ka vendosur ta identifikojë suksesin me sasi, e jo me cilësi – duke harruar që FVK-ja është një organizatë joqeveritare që menaxhon ligat profesionale të volejbollit dhe që përfaqëson shtetin e Kosovës në garat ndërkombëtare. 

Ministria e Sportit, ndërkohë, ndan mjete publike për të mundësuar pjesëmarrjen e klubeve dhe përfaqësueseve në këto gara.
Duke u bazuar në kriteret e çuditshme të Komitetit Olimpik të Kosovës, volejbolli është federata e dytë për nga përfitimi i mjeteve financiare nga buxheti i shtetit – menjëherë pas xhudos.

Po a e justifikon volejbolli këtë pozitë?

Xhudoja: krenaria e Kosovës – çdo garë ndërkombëtare kthehet me medalje të artë.
Volejbolli: në 25 vitet e fundit, asnjë klub i Superligës, në të dy konkurrencat, nuk ka arritur të kalojë raundin e parë në garat evropiane – edhe pse në përbërje shpesh ka lojtare të huaja, të paguara mirë.

Në përfaqësuese, situata është edhe më alarmante. Lojtaret që burojnë nga këto 1080 ndeshje të kampionatit vendor nuk kanë shijuar asnjë fitore në garat ndërkombëtare për një çerek shekulli.

A ka ndonjë perspektivë për të ardhmen?

Le të marrim si shembull Kampionatin Evropian U16 për vajza, i zhvilluar së fundi në Prishtinë dhe Tiranë. Përkundër propagandës së vazhdueshme të Federatës së Volejbollit të Kosovës – e cila nuk ngurron të manipulojë opinionin publik – realiteti ishte i dhimbshëm.

Po citoj një nga deklaratat e tyre publike:Federata e Volejbollit të Kosovës konfirmon edhe një herë statusin e saj si një nga federatat elitare, duke u renditur në kategorinë A në procesin e kategorizimit të sporteve. Ky sukses është rezultat i angazhimit të gjithë komunitetit të volejbollit: klubeve, trajnerëve, lojtarëve, gjyqtarëve… për ta bërë këtë sport një shembull të zhvillimit dhe suksesit.”

Fundi i citatit.

Në të vërtetë, rezultati i turneut e rrëzon në tokë këtë narrativë. Vajzat tona (të cilat nuk kanë faj) pësuan humbje në të gjitha tetë ndeshjet. Edhe më keq: nuk fituan asnjë set gjatë gjithë turneut! Një dështim i pashembullt në historinë 50-vjeçare të volejbollit kosovar.

Kjo është dëshmi se perspektiva e këtij sporti është në fund të pusit. Vajzat tona janë larg nivelit ndërkombëtar – jo për shkak të mungesës së talentit, por për shkak të mungesës së seleksonimit adekuat, mungesës së punës profesionale, dhe për shkak të një sistemi që funksionon për interesa të ngushta grupore.

Në asnjë vend normal nuk do të ndodhte që një person – si në rastin e selektorit Lorik Ilazi – të udhëheqë dy përfaqësuese të vajzave (U16 dhe A), të jetë njëkohësisht trajner i një klubi (Drita e Gjilanit), dhe po ashtu të jetë figurë e fuqishme brenda federatës.

A nuk është kjo një dëshmi e qartë se volejbolli në Kosovë udhëhiqet nga klane të organizuara, e jo nga parimet e meritës dhe zhvillimit?”, ka shkruar Kasapolli në profilin e tij në facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat