Korabi - Dinamo dhe Elbasani - Studenti, nisin sot kampionatet

Volejboll

Korabi - Dinamo dhe Elbasani - Studenti, nisin sot kampionatet

Më: 12 shtator 2025 Në ora: 13:03
Pamje nga ndesbja

Volejbolli shqiptar do të nisë sot kampionatet kombëtare 2025- 2026 me dy ndeshje për javën e parë, një te femrat dhe një te meshkujt.Në radhët e vajzave Superliga do të hapet me takimin Korabi-Dinamo, sfidë që do të zhvillohet në orën 16:00 në sallën “Feti Borova”.

Përballë do të jetë dy ekipe me objektiva krejtësisht të ndryshme, ku në njërën anë kemi skuadrën dibrane, e cila vjen si debutuese dhe synon qëndrimin në elitë, ndërsa në krahun tjetër qëndrojnë kryeqytetaset, një skuadër me shumë ambicie dhe pretendente për titullin.

Të drejtuar nga trajneri Orlando Koja, vajzat blu kërkojnë rikthimin në majën e volejbollit shqiptar, të një ekipi që ka bërë historinë në sportin e rrjetës në vendin tonë. Me një merkato të fuqishme, duke afruar lojtare të rëndësishme vendore dhe të huaja, Dinamo futet me entuziazëm dhe besim në një sezon kur pritet që të ketë rol mes protagonisteve kryesore. Ndërkohë, duke vijuar me kalendarin e javës së parë, të shtunën do të vijohet me ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu në orën 13:00 në Shkodër.

Më tej të dielën në orën 17:00 do të zbresë në parket Pogradeci, një tjetër skuadër që futet me pritshmëri shumë të lartë. Liqenoret do ta nisin në shtëpi, teksa do të presin Teutën. Java do të mbyllet të hënën me derbin e kryeqytetit, me Tiranën që do të thirret në apel për të nisur misionin e mbrojtjes së titullit, ku përballë do të ketë rivalet e Partizanit, një ekip që prej dy sezonesh paraqitet me elementë krejtësisht vendor.

MESHKUJ – Java e parë në kampionatin e meshkujve do të hapet sot me ndeshjen Elbasani-Studenti, sfidë që do të luhet në orën 18:00 në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Të shtunën në orën 11:00 do të zbresin në parketin e “Qazim Dervishit” Vllaznia dhe Skënderbeu, ndërsa java e parë do të mbyllet derbin TiranaPartizani, takim që do të luhet të hënën në orën 19:00 në sallën “Farie Hoti”.

Kjo edhe kryendeshja e javës, ku përballë do të jenë dy ekipe që shikohen si favoritet kryesore për titullin. Të kuqtë e Ylli Tomorrit mbajnë statusin e kampioneve në dy sezonet e fundit dhe në letër shihen si pretendentët e mëdhenj për ta vijuar dominimin edhe në këtë edicion.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat