Pas hapit fals në ndeshjen e javës së parë kundër Tiranës,
Partizani ka shënuar dje fitoren e parë sezonale në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj. Kampionët në fuqi mposhtën Studentin me rezultatin e pastër 0-3, në derbin e zhvilluar në sallën “Feti Borova”.
Një ndeshje që foli për skuadrën e Ylli Tomorrit, që i mbylli llogaritë për 1 orë e 34 minuta. Partizani e nisi fuqishëm, duke fituar bindshëm dy setet e para, 16-25 dhe 19-25.
Ekipi studentor i trajnerit Kestrin Batalli nuk u dorëzua dhe provoi në setin e tretë, set që rezultoi spektakolar, me një seri të gjatë pikësh shtesë. Në fund ishte Osman Qepa që fiksoi shifrat 29-31 dhe të gjithë sfidën në favor të të kuqve. Ledion Martiro me 18 pikë dhe Qepa me 17, ishin lojtarët me redimentin më të lartë në sulmin e Partizanit. Për Studentin më i miri ishte i zakonshmi, Armando Gaxiri, autor i 12 pikëve, mbështetur nga Arjan Hotaj me 11.
Ndërkohë në ndeshjen hapëse të javës, Skënderbeu kaloi pa probleme kundër Erzenit. Korçarët e Arben Priftit fituan në fushën e tyre me rezultatin e pastër 3-0 (25-20, 25-22, 25-14), pas një takimi që zgjati 71 minuta.
Një ndeshje e kontrolluar nga Skënderbeu, ndërsa shijakasit provuan të rivalizonin vetëm në setin e dytë.
Kjo ishte dalja e parë sezonale për Erzenin, ekip që rikthehet në arenën e volejbollit pas një viti mungesë. Austin Hanks me 18 pikë dhe Ray Caylor me 13, udhëhoqën ofensivën e skuadrës vendëse, ndërsa për miqtë shënuesi më i mirë ishte Asmend Kula, autor u 13 pikëve. Java dytë do të kompletohet të shtunën me ndeshjen Elbasani-Vllaznia në orën 18:00.