Erzeni siguron fitoren e parë

Volejboll

Erzeni siguron fitoren e parë

Më: 27 shtator 2025 Në ora: 11:50
Erzeni

Erzeni ka marrë fitoren e parë në kampionatin kombëtar 2025- 2026 në volejboll për meshkuj.

Shijakasit, të cilët pas një viti pushim, rikthehen të përfaqësohen në sportin e rrjetës, dje mposhtën Elbasanin me rezultatin e pastër 3-0, në takimin hapës të javës së tretë të kampionatit.

Ashtu sikurse edhe pritej, skuadra e drejtuar nga Parit Uruçi nuk e kishte aspak të vështirë për të siguruar 3 pikët ndaj një rivali modest si Elbasani, ekip që u paraqit në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” me vetëm shtatë lojtarë dhe një libero.

Pas një ekuilibri në pikët e para, vendësit vendosën diktatin në parket, ndërsa Erni Arapi fiksoi shifrat 25-17, me pikën finale të setit të parë.

Edhe në fraksionin e dytë Elbasani provon fillimisht të rezistojë, por gradualisht shijakasit shkëputen, për ta fituar setin 25-16. Loja nuk ndryshoi as në setin e tretë, ndërsa Anis Çullhaj, me një bllok fitues, ishte protagonisti i “match point”-it, duke vulosur setin 25-17 dhe të gjithë takimin 3-0, një sfidë që zgjati vetëm 57 minuta. Erni Arapi dhe Andi Garunja, me nga 10 pikë secili, patën rendimentin më të lartë në sulmin shijakas, mbështetur nga Asmend Kula me 9 dhe Anis Çullhaj me 7.

Për Elbasanin shënuesi më i mirë ishte Kadrion Koni, autor i 7 pikëve. Java e tretë do të vijojë të shtunën me ndeshjen ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut, sfidë që do të luhet në orën 19:00 në sallën “Farie Hoti”. Më tej, të dielën në orën 18:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, do të zhvillohet edhe ndeshja përmbyllëse e javës ndërmjet Vllaznisë dhe Studentit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat