Vllaznia përmbys Erzenin, Tirana për shëtitje në Elbasan

Volejboll

Vllaznia përmbys Erzenin, Tirana për shëtitje në Elbasan

Më: 4 tetor 2025 Në ora: 16:33
Tirana

Me dy ndeshje në Shkodër dhe Elbasan, Superliga e volejbollit të meshkujve ka nisur dje javën e katërt. Vllaznia vijon me serinë e fitore, duke e shfrytëzuar më së miri kalendarin, teksa dje mposhti Erzenin me rezultatin 3-1 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Një sukses që erdhi me përmbysje për ekipin shkodran që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja. Sfida nisi më mirë për shijakasit, të cilët morën setin e parë 23-25, por më pas erdhi reagimi i fuqishëm nga të zotët e shtëpisë.

Vllaznia fitoi tri setet e radhës në shifrat 25-15, 25-22 dhe 25-19, duke vulosur gjithçka në harkun kohor të 1 orë e 49 minutave. Kjo ishte fitorja e katërt në po kaq ndeshje të luajtura për Vllazninë, me kuqeblutë që janë të parët në kuotën e 11 pikëve. Nga ana tjetër, Erzeni numëron 1 fitore dhe 2 humbje. Nikolin Qafarena vijon të bëjë diferencën në ofensivën shkodrane, ndërsa ishte protagonisti i madh edhe në suksesin e mbrëmshëm të Vllaznisë, duke realizuar plot 24 pikë.

Shkëlqyen gjithashtu edhe Daniel Sierra me 19, Gersi Jula me 13 dhe Johan Palacios me 10 pikë. Për Erzenin nuk mjaftuan 20 pikët nga Asmend Kula, ndërsa Andi Garunja realizoi 13. Gjithçka e thjeshtë edhe për Tiranën, me bardheblutë që kaluan me 3 sete transfertën kundër Elbasanit.

Ndonëse trajneri Arben Sako përdori rotacion të gjerë në këtë takim, Tirana nuk e kishte aspak të vështirë për të marrë 3 pikët, duke i mbyllur llogaritë për 62 minuta në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.

Superioriteti i Tiranës ishte i dukshëm në të tria setet, fraksione që u mbyllën në shifrat 14-25, 16-25 dhe 18-25. Kjo ishte fitorja e tretë në po kaq ndeshje për kryeqytetasit, të cilët klasifikohen në vendin e dytë në kampionat. Java e katërt do të kompletohet sot me ndeshjen SkënderbeuPartizani, sfidë që do të luhet në orën 16:00 në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat