Partizani mposht me 3 sete Elbasanin

Volejboll

Partizani mposht me 3 sete Elbasanin

Më: 11 tetor 2025 Në ora: 13:54
Partizani

Me ndeshjen ndërmjet Partizanit dhe Elbasanit është hapur mbrëmjen e djeshme java e pestë e Superligës së volejbollit për meshkuj. Kampionët në fuqi fituan me rezultatin e pastër 3:0 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke marrë momentalisht vendin e dytë në renditje.

Të kuqtë e Ylli Tomorrit e hipotekuan fitoren për 1 orë e 15 minuta, megjithatë rrezikuan shumë, sidomos në setin e tretë, ndaj një ekipit të vendit të fundit, që vinte në kryeqytet me vetëm 6 lojtarë dhe 2 libero.

Ndonëse me ndryshime dhe mungesa të shumta në formacion, Partizani e filloi mirë, duke e kontrolluar me qetësi setin e parë, ndërsa në fund një prodhim i akadamisë, Uesli Shllaku, fiksoi shifrat finale 25- 20 në setin e parë.

Në të dytin superioriteti i të kuqve ishte edhe më i lartë, i përkhtyer në shifrat 25-12.

Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt një fitoreje të thjeshtë për Partizanin, erdhi edhe kthesa e papritur, me Elbasaninin që arriti të rivalizonte në setin e tretë, aq sa për të përcaktuar fituesin u nevojitën pikët shtesë.

Në fund, gjithçka u vendos me një “ace” nga Norgen Baruti, i cili ishte protagonisti i “match point”-it, duke vulosur setin 26-24 dhe të gjithë sfidën 3-0.

Leonardo Doda me 17 pikë, Norgen Baruti me 11 dhe Uesli Shllaku me 9, udhëhoqën ofensivën e kuqe në këtë takim. Për Elbasanin shënuesi më mirë ishte Brajan Thano, autor i 12 pikëve, por që mbetën vetëm për statistikë, me verdheblutë të pozicionuar në vendin e fundit, pa asnjë set të fituar në kampionat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat