Në kryeqytetin francez, sot po mbahet Asambleja e 46-të e Përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për komunitetin evropian të volejbollit, ku marrin pjesë drejtuesit më të lartë të federatave kombëtare nga gjithë kontinenti.
Në këtë forum të nivelit të lartë, Kosova është në qendër të vëmendjes, përmes delegacionit të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), të përbërë nga Presidenti Bahri Gjinovci, Sekretari i Përgjithshëm Valon Nikqi dhe nënkryetari Valon Xhafaj.
“Punimet e Asamblesë po ndiqen nga afër edhe nga Presidenti i Federatës Botërore të Volejbollit (FIVB), Fabio Azevedo, ndërsa Presidenti i CEV-së, Roko Sikirić, prezantoi raportin dhe vizionin e tij për të ardhmen e volejbollit evropian, duke vënë theksin në forcimin e bashkëpunimit me federatat anëtare dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta për rritjen e cilësisë dhe ndikimit të këtij sporti.
Në rendin e ditës së Asamblesë përfshihen temat kryesore:
\Raportet financiare për vitin 2024 dhe buxhetet për 2025–2026;
Programet zhvillimore si CEV Solidarity Fund dhe Global Volleyball Digital Programme;
Plani komercial dhe projektet strategjike të CEV-së për periudhën e ardhshme;
Përditësime statutare dhe rregulloret e reja të Dhomës Ligjore të CEV-së.
Gjatë punimeve, drejtuesit e FVK-së, ashtu siç pritej, kanë pasur shoqërimin dhe bashkëbisedimin kryesor me Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pellumbi, duke konfirmuar edhe një herë lidhjen e fortë bashkëpunuese mes dy federatave dhe koordinimin e vazhdueshëm në projektet rajonale e ndërkombëtare.
Përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare, delegacioni kosovar ka zhvilluar edhe takime me federata partnere dhe miq të volejbollit evropian, me qëllim forcimin e marrëdhënieve, shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e mundësive të reja për zhvillimin e volejbollit në Kosovë”, njofton FVK.