Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka zhvilluar dje dy ndeshje të vlefshme për javën e tretë në fazën e grupeve. Pogradeci vijon dominimin në Grupin A, duke shënuar fitoren e radhës në shifra të pastra, për të forcuar pozitat në vendin e parë.
Skuadra liqenore kaloi me sukses transfertën në kryeqytet kundër Partizanit, teksa i mposhtu dje të kuqet me rezultatin 0-3 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Pogradecit i mjaftuan 76 minuta lojë për të kopsitur fitoren kundër Partizanit, teksa vajzat e drejtuara nga trajneri Besnik Lisha u treguan superiore në parket. 13-25, 22-25 dhe 15-25 ishte rezultati i seteve në favor të skuadrës mike.
Pogradeci po zhvillon një sezon të madh, ku pasi e mbylli në vend të parë fazën e parë, tashmë po bind edhe në Kupë, ndërsa mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në edicionin 2025-2026 në sportin e rrjetës.
Për sa i përket ndeshjes tjetër të javës së tretë në Grupin A, Skënderbeu do të përballet sot në orën 13:00 më Korabin.
Duke kaluar në Grupin B, Vllaznia shënoi fitoren e parë sezonale në Kupë, teksa mposhti Dinamon me rezultatin 3-1.
Një sukses që erdhi me përmbysje për skuadrën shkodrane, pasi ishin kryeqytetaset e Orlando Kojës ato që e nisën më mirë, duke marrë setin e parë 23-25.
Por, më pas erdhi reagimi i fortë i vajzave kuqeblu, të cilat fituan setet e radhës në shifrat 25-23, 25-22 dhe 25-20, për ta mbyllur me festë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, pas një sfide që zgjati 2 orë e 10 minuta.
Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Dinamon në Kupë, me ekipin blu që duket se ka mbetur me pasoja nga pezullimi i brazilianes Nayara Ferreira. Ndeshja tjetër e Grupit A mes Tiranës dhe Teutës do të luhet sot në orën 15:00 në “Farie Hoti”.