Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira, që luan me Dinamon në Superligën shqiptare, aktualisht është larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet nëse do të rikthehet më. E akuzuar nga disa klube për gjininë e saj dhe e pezulluar pa afat nga Federata Shqiptare e Volejbollit, ajo ka disa ditë që nuk ndodhet në vendin tonë.
Ai që konfirmoi largimin e Ferreira është menaxheri i skuadrës së Dinamos, Andi Bareti, në një intervistë për “Panorama Sport”.
Ai theksoi: “Dinamo ka humbur një nga lojtaret më të rëndësishme të këtij sezoni dhe po vijojmë garën pa lojtaren kryesore. Kjo gjë e ka tronditur jo pak ekipin, por sigurisht më shumë vetë lojtaren braziliane”.
“Volejbollistja për momentin nuk ndodhet në Shqipëri, pasi ka kërkuar leje nga klubi.
Sigurisht që është shumë e tronditur dhe klubit i ka bërë me dije që dëshiron ta ndjekë këtë çështje deri në fund, duke kërkuar mbrojtje ligjore me anë të avokatëve të saj”, shtoi më tej menaxheri i klubit kryeqytetas.
Ai konfirmoi gjithashtu se kërkesa e bërë nga ekipet e Vllaznisë dhe Pogradecit solli këtë situatë të pakëndshme.
“Janë këto dy skuadra, të cilat me sa duket frikën për t’u përballur në fushë me ekipin e Dinamos, zgjodhën ta zhvendosin në një përballje jo të drejtë jashtë fushe”, shtoi Bareti në intervistën e tij.
Ai deklaron se klubi mbetet në pritje të përgjigjeve të analizave për testin e shumëpërfolur të gjinisë.