Kombëtarja U18 e Kosovës e ka përmbyllur paraqitjen e saj në fazën e grupeve të Kualifikimeve të Kampionatit Evropian CEV U18 2026 me humbje ndaj Turqisë, e cila u mbyll me rezultat 3:0 për përfaqësuesen turke, në ndeshjen e zhvilluar në Podgoricë, në palestrën SC Verde.
Turqia e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe e dominoi setin e parë, duke e fituar atë me 25:8.
Kombëtarja e Kosovës u përpoq të stabilizojë lojën në setin e dytë, duke treguar më shumë rezistencë dhe organizim, megjithatë kundërshtari ruajti epërsinë dhe e mbylli setin me 25:11.
Edhe seti i tretë pati rrjedhë të ngjashme. Kosova luftoi për çdo pikë dhe tentoi të qëndrojë sa më afër në rezultat, por përvoja dhe cilësia e Turqisë bënë diferencën, me setin që përfundoi 25:11 dhe ndeshjen e mbyllur me rezultat të pastër 3:0.
Me këtë takim, Kombëtarja U18 e Kosovës e përfundon pjesëmarrjen në fazën e grupeve të këtyre kualifikimeve, duke fituar përvojë të vlefshme në një turne me nivel të lartë evropian dhe përballë kundërshtarëve të fortë të kësaj grupmoshe.
Turneu në Podgoricë përbën një hap të rëndësishëm në procesin e zhvillimit të brezit të ri të volejbollistëve të Kosovës.