Kupa e Shqipërisë në volejbollin e femrave ka zhvilluar dje dy ndeshje të vlefshme për ditën e gjashtë dhe të fundit të fazës së grupeve.
Vijon sezoni fantastik për Pogradecin, me ekipin liqenor që mbetet i pamposhtur në të gjitha kompeticionet.
Ndonëse e kishin siguruar kualifikimin si dhe vendin e parë në Grupin A, vajzat e drejtuara nga trajneri Besnik Lisha treguan forcën përballë Partizanit, duke i mundur të kuqet me rezultatin e pastër 3-0.
Takimi i zhvilluar dje në pallatin e sportit “Arefi Berberi” foli për Pogradecin, me vendëset që ishin dominuese në të tria setet, duke fituar bindshëm përkatësisht në shifrat 25-14, 25-11 dhe 25-19 në një përballje që zgjati 64 minuta.
Për kryeqytetaset në këtë takim debutuan edhe dy afrimet e huaja në merkato, Azra Capkin dhe Laurun Payne, por që nuk i sollën fat skuadrës që drejtohet nga Andi Lundra, me Partizanin që eliminohet zyrtarisht nga Kupa.
Ndeshja tjetër e Grupit A, KorabiSkënderbeu do të luhet sot në orën 14:00, takim që ka vetëm vlerë statistikore, pasi korçaret janë të kualifikuara në gjysmëfinale si vend i dytë. Ndërkohë, duke kaluar në Grupin B, Dinamo e filloi vitin me një fitore të bukur kundër Vllaznisë në Farkë.
Vajzat blu triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 (25-7, 25-13, 25-15) në një sfidë që zgjati 70 minuta.
Superioriteti i Dinamos ishte i madh në të tria setet, ndaj një Vllaznie me ekip tërësisht vendor.
Me këtë fitore Dinamo mban gjallë shpresat e kualifikimit, por fati i saj do të varet nga ndeshja e sotme mes Teutës dhe Tiranës në orën 16:00 dhe në Durrës. Për të kaluar në gjysmëfinale, Dinamo duhet të shpresojë që Tirana të fitojë 2 sete në këtë takim.