Kombëtarja e Kosovës në volejboll ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore gjatë vazhdimit të fazës përgatitore në Itali, ku u përball me Kombëtaren U22 të Italisë, në kuadër të kampit stërvitor që po mbahet në Camigliatello.
“Kjo përballje i shërbeu në mënyrë shumë të mirë shtabit teknik dhe volejbollistëve tanë, duke ofruar një eksperiencë të rëndësishme ndaj një kundërshtari cilësor dhe me intensitet të lartë loje.
Miqësorja ishte një mundësi ideale për testimin e skemave taktike, ritmit të ekipit dhe harmonizimin e grupit në prag të ndeshjeve zyrtare në CEV European Volleyball League.
Ndeshja përfundoi me rezultat 3:0 në favor të Kombëtares U22 të Italisë, me setet:
25:19, 25:22, 25:21
Nën drejtimin e shtabit teknik të përbërë nga Darko Prebiracevic, Valon Mustafa dhe Habil Ajeti, Kombëtarja po vazhdon me nga dy sesione stërvitore në ditë në kampin italian “Centro di Preparazione Olimpica di Camigliatello”, ku po zhvillon përgatitjet në ambientet e Federatës Italiane të Volejbollit.
Gjatë qëndrimit në Itali, Kosova do ta zhvillojë edhe miqësoren e dytë, e cila është paraparë të luhet nesër, duke vazhduar kështu ciklin e testeve dhe ngritjes së formës së ekipit para sfidave evropiane.
Ky grumbullim dhe këto përgatitje në Itali janë mundësuar falë memorandumit të bashkëpunimit mes Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe Federatës Italiane të Volejbollit, që po i jep volejbollit të Kosovës mundësi të rëndësishme zhvillimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, njofton FVK.