​Tokyo 2020, vendi ku Kosova lufton për të artën

Xhudo

​Tokyo 2020, vendi ku Kosova lufton për të artën

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 09:41
​Tokyo 2020, vendi ku Kosova lufton për të artën

Tanimë në Tokio kanë arritur shumica e sportistëve të Kosovës të cilët do ta përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokyo 2020. Gjithashtu, ka arritur edhe delegacioni i Komitetit Olimpik i Kosovës, i cili po mbështet 11-shën tonë e cili pritet të kthehet me medalje.

Të gjithë ekipi i Kosovës dhe KOK, kanë rezultuar negativ në testet për Covid-19, gjë që ishte hapi i parë që mundëson pjesëmarrjen në këto lojëra.

Në Tokio kanë arritur edhe shumica e përfaqësuesve të vendeve të rajonit dhe botës. Ndërkohë, shihet edhe një numër i madh i mediave të akredituara. Virusi Covid-19, ka bërë që të ketë rregulla mjaft rigoroze për të gjithë sportistët dhe përfaqësuesit e mediave, të cilëve përveç se iu rekomandohet të bëjnë teste çdo ditë, kanë edhe lëvizjet e kufizuara. Kurse, bartja bëhet me transport të veçantë.

Kanë mbetur edhe dy ditë para ceremonisë së hapjes së Tokio 2020, në stadiumin olimpik, dhe në këtë vend shihet një atmosferë dhe përgatitje tepër e veçantë.

Kosova po përfaqësohet nga 11 sportistë ose dy më shumë se sa në Rio. Ekipës i prijnë gjudistët Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, pastaj mundësi Egzon Shala, i cili ishte i pari që fitoi normën olimpike Tokyo 2021, notari Olt Kondirolli, Drilon Ibrahimi i cili përfaqëson sportin e shenjëtarisë, boksierja Donjeta Sadiku, Musa Hajdari-atletikë dhe Eda Zeqiri.

Kampionia Olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi dhe kampioni i Evropës 2021 në xhudo, Akil Gjakova, do të bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Për shkak të barazisë gjinore, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ka vendosur që në ceremoninë hapëse të LO Tokio 2020, bajraktarë të jenë dy sportistë të gjinive të ndryshme.

Në ceremoninë mbyllëse, bajraktar do të jetë mundësi Egzon Shala.

Kelmendi kishte bartur flamurin edhe në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Rio 2016.

Ceremonia hapëse bëhet më 23 korrik në stadiumin olimpik të Tokios, me fillim prej orës 13:00 me kohën tonë lokale dhe në 20:00 me kohën lokale të Japonisë.

Përndryshe, Lojërat Olimpike 2020 në Tokio filluan dy ditë përpara ceremonisë së hapjes të premten, në një lojë bejzbolli në mes Australisë dhe Japonisë, sport ky i cili është kthyer në fazën Olimpike pas një mungese 13-vjeçare.

Të gjitha garat e Lojërave Olimpike Tokyo 2020 do të zhvillohen pa praninë e tifozëve, pas vendimit të Qeverisë së Japonisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Japoni, si pasojë e numrit të rasteve me pandeminë Covid 19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat