Federata Shqiptare e Xhudos ka pritur në fundjavën që lamë pas dy kompeticione të rëndësishme në nivel rajonal, ku pas Kampionatit Ballkanik për moshat U-23, më tej e kishin radhën veteranët për të dalë në aksion, teksa u zhvilluan duelet për moshat nga 30 deri në 80 vjeç.
Të ndarë në grupe me kategori të ndryshme, veteranët e xhudos konkurruan për medaljet ballkanike në aktivitetin që u mbajt në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Pikërisht me Kombëtaren e veteranëve erdhën edhe rezultatet më të larta, teksa pas shtatë medaljeve për U-23, përfaqësuesja e veteranëve, e drejtuar nga trajneri Shkurt Çullhaj, arriti të fitonte plot nëntë medalje në evenimentin ballkanik.
Performancë e shkëlqyer nga Erind Cara, i cili konkurroi në kategorinë M2 për peshat -90 kg, duke i fituar të gjitha ndeshjet me “Ippon”, për të bërë të tijën medaljen e artë.
Medalje të arta fituan edhe Ilir Tafa në kategorinë M6 për peshat -73 kg, Ilir Cani në kategorinë M6 për peshat -66 kg dhe Zylfi Shehu në kategorinë M3 në peshat -90 kg.
Një tjetër medalje artë erdhi nga garat e femrave dhe mban firmën nga Greta Bonollari në F1 për peshat -63 kg. Në shkallën e dytë të podiumit u ngjit Dritan Visha, i cili mori medaljen e argjendit në M2 për peshat e rënda +100 kg.
Ndërkohë tri medalje të tjera ishin të bronzta, të fituara nga Klinton Haka në M1 për peshat -100 kg, Donald Tarja në M1 për peshat -73 kg dhe Ermir Laze në M4 për 100 kg.