A është e mundshme që gruaja apo burri t’ia “prishë letrat” bashkëshortit të vet? Çka thotë ligji zviceran?

Zvicra

A është e mundshme që gruaja apo burri t’ia “prishë letrat” bashkëshortit të vet? Çka thotë ligji zviceran?

Nga: Lirim Begzati Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 22:41
Lirim Begzati

Një pyetje kjo shpeshherë e parashtruar në kuadër të praktikës sonë profesionale. Dëgjohen nganjëherë edhe komentimet e llojit “ky apo ai person” ia ka prishur letrat, apo ka vendosur t’ia prishë letrat gruas apo burrit”! Këto thënie shpesh bazohen fatkeqësisht në vlerësime të gabuara. 

Është e vërtetë se pas një shkurorëzimi,  mund të humbet një leje e cila është fituar përmes një martese me një person me status të rregulluar në Zvicër. Mirëpo kjo nuk domethënë aspak se “vendimi” për këtë është në duart e një bashkëshorti. 

Jo pra, pasi që autoritetet që i marrin vendimet duhet t’i respektojnë disa rregulla ligjore, që nuk kanë aspak të bëjnë me vullnetin (apo jo) të ndonjërit nga bashkëshortët.

I cekim së pari dy rregulla kryesore:

- Personi i huaj i cili e ka fituar statusin e qëndrimit pas një martese, rrezikon (por jo domosdoshmërish) që ta humbë lejen e tij, po që se shkurorëzimi ndodhë, për shembull, vetëm pak vite pas lidhjes së martesës. Kështu thotë ligji. 

- Humbja e lejes mund të ndodhë edhe atëherë kur dyshohet se lidhja e martesës ka pasur për të vetmin qëllim rregullimin e statusit të qëndrimit në Zvicër. Edhe kjo çështje (vështirë e verifikueshme!) parashikohet me ligj. 

Kështu që, asnjë rregull ligjore nuk thotë se leja e qëndrimit mund të “prishet” duke marrë parasysh vendimin apo një dëshirë të shprehur nga bashkëshorti tjetër. Kurse tjetër është pyetja nëse, në rast dyshimi se martesa është lidhur vetëm për marrjen e “letrave”, një bashkëshort mund të merret në pyetje (para se të vendoset për “prishjen” apo jo të “letrave”), por kjo nuk ka peshë juridike vendimmarrëse. Është ky vetëm një element, në mesin e shumë analizave të tjera, që mund të merret parasysh në kuadër të vlerësimit të lirë të autoriteteve vendimmarrëse. 

Vlen të theksohet në mes tjerash se, ndër kushtet që e “mbrojnë” lejen dhe të cilat merren shpeshherë parasysh janë këto si vijojnë (sipas ligjit zviceran për të huajt): 

- Martesa ka zgjatur së paku 3 vite dhe brenda asaj kohe që të dy bashkëshortët kanë jetuar së bashku;

- Personi i huaj i shkurorëzuar është i integruar në shoqërinë zvicerane (e zotëron gjuhën e vendit ku jeton, është i integruar në punë, nuk varet nga ndihmat sociale, nuk ka kryer vepra penale, s’ka borxhe të larta ndaj shtetit, etj.). Për ata që kanë fëmijë të përbashkët, ekzistojnë natyrisht mbrojtje të veçanta ligjore. 

Për gjithë këtë që u tha mësipërm, është me rëndësi me kuptuar se janë një sërë elementesh vlerësimi që do të merren parasysh, para se të vendoset eventualisht për revokimin (humbjen) e lejes së qëndrimit. Asnjëri nga kushtet nuk analizohet në mënyrë të pavarur. Kjo nënkupton se autoritetet janë të detyruara të marrin parasysh situatën në përgjithësi të një personi (e jo duke analizuar vetëm njërin nga kushtet që do ti konvenonte dikujt!). 

Jo pra, nuk vendosë bashkëshorti/tja për atë se a do të mbetet apo jo pa “letra” bashkëshorti tjetër.

Duhet theksuar megjithatë faktin se statusi i gruas gëzon një mbrojte sadopak më të veçantë. Në fakt, para disa viteve është miratuar një rregull që ka të bëjë me mbrojtjen më të mirë të statusit të gruas së huaj në shoqërinë zvicerane. Sipas një rregulle të tillë, parashikohen mundësi për mbrojtjen e lejes, përfshirë këtu edhe në rastet kur ka ndodhur një shkurorëzim, në qoftë se konstatohet se është përdorur dhuna në familje, por edhe atëherë nëse martesa është lidhur kundër shprehjes së lirë të vullnetit të bashkëshortes dhe nëse vlerësohet se kthimi në vendin e origjinës është vështirë i imagjinueshëm (për arsye kulturore, fetare, persekutimi, etj.).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat