I moshuari nga Kosova “problematik” në Zvicër, gjykata e dënon me burg! Zbulohen ngjarjet ku është përfshirë

Zvicra

I moshuari nga Kosova “problematik” në Zvicër, gjykata e dënon me burg! Zbulohen ngjarjet ku është përfshirë

Më: 6 maj 2022 Në ora: 23:53
Foto ilustrim

Një 71-vjeçar nga Kosova është dënuar nga gjykata e Zyrihut në Zvicër pasi ka goditur me shkop punonjësin e një dyqani në kryeqytet.

Sipas mediave zvicerane, ai është dënuar me 14 muaj burg, dhe një gjobë prej 9 mijë frangash. Incidenti me të moshuarin është regjistruar në 16 shkurt të vitit 2021.

71-vjeçari kishte hyrë brenda një dyqani dhe pas pak minutash doli. Në momentin që u afrua tek dera, shitësi iu afrua me dyshimin se i moshuari kishte vjedhur diçka nga dyqani.

Shitësi i kërkoi që t’i kontrollonte çantën, por 71-vjeçari nuk pranoi dhe më pas e goditi punonjësin me shkopin e tij.

Por 71-vjeçari është përfshirë edhe herë të tjera në incidente, madje ka përdorur dhe armë zjarri. Në vitin 2019, ai qëlloi me armë zjarri në tokë në zonën e Langstrasse në Zyrih, pas një zënke me një person tjetër.

Asokohe gjykata vendosi ta lirojë me kusht. Ndërkohë pas incidentit me shitësin e dyqanit, Prokuroria kërkoi që të dënohej me 22 muaj burg, ndërkohë që gjykata e uli në 14 muaj.

Avokatët pretendojnë për një keqkuptim

Nga ana tjetër, i akuzuari në gjykatë ka theksuar se punonjësin vetëm e ka larguar me shkop dhe nuk e ka goditur fare. Ndërsa avokati i kosovarit ka thënë se klienti i tij, i cili ka sëmundjen e Parkinsonit, është i dobët jo vetëm për shkak të moshës së tij dhe i paqëndrueshëm edhe kur qëndron në këmbë

“Po të kishte tundur vërtet bastunin duke mbajtur ende qesen me dardha dhe një çantë mbi supe, do të kishte rënë përtokë. Prandaj, as që mund të bëhet fjalë për goditje” – tha avokati.

Mbrojtësi i pensionistit ka folur për një “keqkuptim serioz dhe total”. 71-vjeçari kishte supozuar gabimisht se ndodhej në një situatë kërcënuese.

Kërcënime ndaj familjes

Në kohën e ngjarjes ndaj djalit të tij po zhvillohej një procedim penal për vrasje. Në dhjetor të vitit 2021, Gjykata e Lartë e kishte dënuar djalin me 16.5 vjet burg. Ai kishte shtënë me armë në një pikë karburanti në drejtim të një grupi persnash duke plagosur 30-vjeçar.

Avokati deklaroi se në atë kohë ishin marrë kërcënime nga familja e viktimës. 71-vjeçari ishte nën presion emocional, frika e hakmarrjes ishte e madhe. Prandaj erdhi ky “përshkallëzim krejtësisht absurd”.

Mbrojtësi e ka vlerësuar sulmin me shkop si një sulm të thjeshtë. Ai i kërkoi gjykatës t’i vendoste klientit të tij një gjobë prej 700 frangash. Vendimi nuk është ende i plotfuqishën. Mund të apelohet në Gjykatën Supreme të Kantonit të Zyrihut.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat