Shoqata Humanitare “Medvegja”, nuk do të ndalet për Medvegjën shqiptare

Zvicra

Shoqata Humanitare “Medvegja”, nuk do të ndalet për Medvegjën shqiptare

Nga: Dashnim Hebibi Më: 3 korrik 2022 Në ora: 17:27
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Shpesh përmendet në atdheun tonë, por edhe në mërgatë, se shtëpia e zotnisë shihet nga oborri. Kjo ndodhë edhe në shtëpinë e madhe apo kalanë e madhe të SHH “Medvegja” në Zvicër, që njihet si sofër e medvegjasëve atdhetarë, se si pritet musafiri, se si nderohet musafiri dhe si çmohet vendasi. Fully, kjo qytezë e Zvicrës, për medvegjasit është Medvegja e dytë, por edhe për shumë mërgimtarë të tjerave të tjera që jetojnë në Zvicër e dijnë mirë, se nëse do të takosh medvegjas, shko në Fully, se aty i gjen.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Të shkruash për kontributin e kësaj shoqate në këtë reportazh, që sapo e fillova për një ngjarje të madhe sa humanitare, kulturore e sportive, është e pamundur të përshkruhet përmes pak fjalëve, ka qenë e pamundur të përshkruhet edhe përmes një monografie me titull: “3o vjet në shërbim të kombit”, se veprimtarët medvegjas kurrën e kurrës nuk u ndalën për të mirën e atdheut. Shoqata Humanitare “Medvegja”, ka dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare ma shumë se 35 vjet, pa u ndalur kurrë. Kësaj here, me disa fjalë, duke u munduar, që përmes shkrimit të përshkruaj edhe syrin e kamerës, që nëse e lexon tekstin, të duket, se je duke e shikuar në television për çdo detaj, sepse është mëkat të mos përmendet shumë gjëra të mëdha që bëhen në këto organizime.

Ti thuhet dikujt, se për një mbrëmje humanitare, kryesia e Shoqatës me veprimtarë të tjerë, fillojnë punën e organizimit tre muaj më herët, është e pakapshme, të mos harrojmë, se këta veprimtarë të gjithë punojnë dhe marrin kohë për tu organizuar. E gjithë kjo punë humanitare bëhet pa honorarë dhe mbi të gjitha edhe familjet e tyre janë pjesë e organizimit.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

I madh e i vogël Medvegjën e mbajnë në zemër

Java e fundit e muajit qershor, apo siç njihet muaji i SHH “Medvegja” në Zvicër, sepse jo vetëm medvegjasit, por edhe bashkëkombës të tjerë që jetojnë në Zvicër, Austri,Francë, Belgjikë, Gjermani e Austri e dinë, se në këtë muaj organizohet koncerti i madh në natyrë dhe i vetmi në Zvicër, ku muzika shqipe e vallja dëgjohet e luhet nga të rijnë e të reja shqiptare, por edhe nga miq zviceran. Është për të vlerësuar besimi tek miqtë zviceran, që kjo shoqatë ka, sepse nuk është e lehtë, të marrin besimin dhe të organizojnë koncert edhe ate deri në orën 01 të mesnatës. Për 25 vjet me radhë, sa mbahet koncerti dhe turniri në futboll, nuk është shënuar ndonjë problem, kjo është e veçantë dhe për të vlerësuar.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Shoqata “Medvegja” në Zvicër një familje medvegjase

Në aktivitetet e shoqatës marrin pjesë jo vetëm kryefamiljarët, por e gjithë familja. Plot të rijnë e të reja janë rritur në skenë e sot janë prindër dhe fëmijët e tyre vijnë e vallëzojnë, shkurt e shqip, duan ta mbajnë frymën e medvegjës. Ja një dëshmi, zonja Marigona Neziri Kadriu, ishte që e vogël në shoqërinë Kulturore Artistike “Medvegja” dhe tash janë dy vajzat e saj, ku edhe bashkëshorti i saj kontribuon me të madhe në Shoqatë, por e shenjta e kësaj që dua të them, është, se hiç më shumë se një muaj është bërë nënë për të tretën herë dhe vajza e saj e vogël një muajsh, Anela ishte në mesin e publikut. Edhe pse flinte në karrocën e fëmijëve, ajo sigurisht se shihte ndonjë ëndërr, që shumë shpejt, sa të rritet, ti këndoj Medvegjës. Kjo është e shenjtë. Ka raste, që në kryesinë e Shoqatës kanë pasur rast vdekjeje dhe është caktuar data e manifestimit për të kremtuar 28 nëntorin, kryesia kanë dashur që të anulojnë koncertin, por personi në fjalë nuk ka pranuar, sepse Medvegja, kombi dhe zoti është mbi të gjitha. Nuk kam pa manifestim deri më tani në mërgatë, që të vijnë i madh e i vogël.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

E shtuna e 25 qershorit në Fully mes shiut, valles e këngës shqipe

E fillova reportazhin me një fjalë popullore që zotnia shihet nga oborri. Çdo anëtarë i shoqatës, kryesia me familjarët e tyre, sapo të hyjnë në fushën sportive ku do të mbahej koncerti, ndalen për të paguar biletën e hyrjes, që me këto të holla shlyhen obligimet e organizimit dhe mblidhen të holla për të ndihmuar ata që kanë nevoj. Është aty, Sabit Abazi, arkatar i Shoqatës, një veprimtarë jo i zhurmës, por me qetësi, ju buzëqesh mysafireve që vijnë, ju jep informacionet e duhura secilit që vjen dhe u jep edhe fletushkën e sponsorëve që kanë ndihmuar organizimin. Është për të vlerësuar këtë punë të madhe që e bënë edhe ate me shumë përkushtim.

Në anën tjetër, dy ish kryetarët, si vëllezër, Zenel Neziri dhe Zejnullah Namani, shikojnë çdo imtësi që kalon, duke pritur mysafiret, duke dashur që ti bëjnë vende të mira, duke përcjellë kryetarin e ri të shoqatës, z. Zymer Hajrullahu, pra duke e ndihmuar në çdo drejtim, që të dalin mirë të gjithë. Në sytë e tyre shihej ngarkesa, por në zemrat e tyre shihej dashuria e madhe për Medvegjën, sepse e dinë, se sonte është fjala e parë dhe e fundit Medvegja. Për Medvegjën japim jetën, ata ndër të tjera thonë. Kurrë nuk jemi ndal e as që do të ndalemi. Nga puna kemi ardhur, kemi punuar me muaj së bashku me kryesinë e re të shoqatës, që të dalim mirë. Në shoqatën tonë jemi një, thuajse një familje. Kritikohemi aty ku duhet kritikuar, por edhe japim fjalët e mira aty ku duhet. Shkurt, duam që të dalim si gjithmonë mirë, na thanë ndër të tjera, z.Neziri dhe Namani.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Flamuri kombëtar kuq e zi ai i Kosovës dhe i Zvicrës ishin në ballë të skenës

SHKA “Medvegja”, bilbilat e Medvegjës në mërgatë, bënin përgaditjet e fundit në skenë dhe nuk mungonin edhe foto kujtimi që bënin nëmes veti. E nga larg shihet, se vinin edhe artistët e skenës shqiptare, Mihrije Braha dhe Naim Abazi, që ishin ftuar për sonte të mbajnë programin argëtues për të pranishmit. Mysafirë special ishte edhe Gjenis Haxhimehmeti sekratar i Ambasadës së Kosovës në Zvicër. Ora 20 ashtu edhe siç ishte paraparë, filloi edhe programi i moderuar nga zonjushat Donika Thaçi dhe Ledina Abazi. Vlen të përmendet, se që të dyja janë lindur në Zvicër, por si të vogla, kanë recituar dhe kënduar për Medvegjën e flamurin kuq e zi.

Pak kush mundet ta dinte, se ishin fëmijë mërgimtarë, sepse fjalët e tyre dhe moderimi ishin për çdo kompliment. Mirënjohje për prindërit që po punojnë me të madhe, jo që vetëm atdheun e të parëve të mos e harrojnë, por edhe gjuhën shqipe rrjedhshëm ta flasin. Barrën kryesore e kishte kuptohet, kryetari i SHKA “Medvegja”, z. Sulejman Musliu. Programi filloi me recitime, këngë e valle nga SHKA “Medvegja”. Këngë kushtuar Medvegjës dhe trojeve etnike shqiptare, si dhe dëshmorëve. Grupi folklorik “Musa Neziri” pranë SHKA “Medvegja”, edhe njëherë dëshmoi, se grupi i të rriturve nuk do të ndalet për ti motivuar të rinjtë që të mos i largohen këngës shqipe.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryesia e re e Shoqatës dha besimin, se manifestimet e radhës, do të jenë edhe më të mira

Anëtarët e kryesisë së shoqatës, që njihen si veprimtarë të kamotshëm të shoqatës, të ndihmuar nga kryesitë e kaluara e kësaj radhe nga Zenel Neziri dhe Zejnullah Namani e të tjerë, nuk ishin të qetë dhe duke kaluar herë në njërën tavolinë e herë te tjera për ti nderuar musafirët. Zymer Hajrullahu, kryetari i Shoqatës, së bashku me kryetarin e SHKA “Medvegja”, Sulejman Musliu, me kryetarin e komisionit sportivë, Xhevat Neziri, pastaj me nënkryetaren e shoqatës, Valbona Neziri Thaçi, sekretarja e shoqatës, Selvije Namani si dhe me arkëtarin, Sabit Abazi, ishin ata që çdo minutë që kalonte ishte në përkujdesje të tyre, që të shkoj mirë e më mirë. Në anën tjetër, përgjegjës të kuzhinës, përgatitnin ushqim për mysafiret e shumtë.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbi 2.000 bashkatdhetarë në koncertin e SHH “Medvegja”

Aty në orën 21.00 filluan edhe disa riga shiu, por nuk lëviznin mysafiret, duke e përcjell programin. Por, rigat e shiut filluan të shpeshtohen, por mysafiret nuk largoheshin dhe programi vazhdoi. Në emër të shoqatës, kryetari Hajrullahu i dëshiroi mirëseardhje që të gjithëve dhe e shpalli të hapur manifestimin dhe turnirin e 25-të me radhë. Fjala përshëndetëse iu dha, z.Gjenis Haxhimehmeti, sekretar i Ambasadës së Kosovës në Zvicër, ku përshëndeti të pranishmit dhe ju bëri thirrje edhe njëherë të pranishmëve, që të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe Naim Frashri dhe të jemi të bashkuar gjithmonë. Ku nga kryesia iu nda edhe një mirënjohje në shenjë respekti. Mysafirë në mesin e familjarëve të tyre dhe bashkëvendëseve kishin ardhur nga Kosova edhe dy veprimtarët e njohur të asaj treve, Profesor, Rexhep Abazi mësues veteran, poet dhe instrumentist i njohur, pastaj Burim Uka, një aktivist i palodhshëm i Shoqatës Humanitare Medvegja dhe Medvegjës në përgjithësi.

Edhe z.Abazi dhe z.Uka iu ndanë mirënjohje. Mirënjohje iu nda edhe Dashnim Hebibi i cili më shumë se 20 vjet përcjell aktivitetet e shoqatës. Mysafirë nga ana e zviceranëve z. Christophe Darbellay, pastaj kryetarja e parlamentit të kantonit Valis, zonja, Geraldine Arletazmonnet, kryetarja e komunes së Fully, znj.Caroline Ancey-Roduit, deputet në parlamentin e Zvicrës, Benjamin Doduit, Sidney Kamerzin si dhe deputet kantonan Nathan Bender. Pastaj drejtor shkollash dhe afaristë të shumtë zviceran. Thuajse që të gjithë e njohin mirë punën e shoqatës.

Emblema e shoqatës, që njihet nga shumë veprimtarë, z. Zenel Neziri, thuajse në çdo fjalë përshëndetëse të miqve zviceranë përshëndetej dhe përmes tij ndër të tjera thoshin, e njohim punën e shoqatës, sepse z. Neziri na ka prezantuar shoqatën në takime të shumta që i kemi pasur ne si zviceranë, thanë ndër të tjera. Modestia e miqve zviceran, është e veçantë, ata përveç se flasin fjalë të mira, ata edhe janë pjesë e organizimit, ku vallëzojnë dhe bashkëbisedojnë thuajse me çdo mërgimtarë. Koncerti vazhdoi edhe me një shoqëri kulturoro artistike “Dardanët” që veprojnë në Payern të Zvicrës, që kishin ardhur për ti nderuar medvegjasit. Na la përshtypje se i këndonin edhe Medvegjës. Këtu duhet përmendur, se Shoqata “Medvegja” gjithmonë ishte unike dhe është unike edhe me shoqatat tjera nga Lugina e Preshevës dhe të gjitha shoqatat shqiptare. Z.Rafet Ademi, sekretar i SHKA “Jehona”, me qendër në Zvicër i përshëndeti të pranishmit dhe ishte gjithnjë në bashkëbisedim me z. Zenel Neziri dhe z.Zejnullah Namani.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Vallja e kënga shqipe vazhdoi deri në orën 12 të mesnatës nga këngëtarja Mihrije Braha dhe Naim Abazi të përcjellur nga instrumentisi mjeshtër i madh, z.Avni Neziri.

Më la përshtypje një vajzë e vogël, që vallëzonte para skenës dhe ia bënte me dorë fëmijëve që vallëzonin në SHKA “Medvegja”. Më vonë kuptova, se ishte Luna Neziri një vjeçe e gjysëm, mbesa e Zenel Nezirit, kryetar nderi të Shoqatës, ku shihte mbesat e veta në skenë, pra vajzat e hallës, pastaj babain e saj, vajzat e mixhës, djalin e mixhës, me një fjalë e gjithë familja. Sa e sa gjenerata janë rritur në skenë, në SHKA “Medvegja” dhe tash janë prindër dhe i shohin fëmijët e tyre duke vallëzuar. Sa e sa prindër rrinin duke incizuar me telefona e kamera për ti pasur kujtim. Ky koncert ashtu edhe siç kam shkruar shumë herë, shërben për të mirë, sepse takohen medvegjasit, veprimtarë të shumtë të të gjitha trevave shqiptare dhe shumë siç na kanë treguar aktivistët e shoqatës, të rinjë e të reja janë njoftuar në mes veti dhe tash më janë edhe prindër.

Gjersa dëgjoja këngët duke u përmendur Medvegja, mu kujtua, i ndjeri Musa Neziri, që kurrë nuk rrinte ulur gjersa fillonte programi SHKA „Medvegja“ dhe deri sa mbaronte. Ishte vërtet i madh dhe do të kujtohet përjetë. Aty i kishte mbetur vendi i zbrazët dhe në anën tjetër e takova bashkëshorten e tij dhe në skenë ishin djali dhe vajza pjesë e SHKA „Medvegja“. Sa e sa veprimtarë nuk janë në mesin tonë fizikisht. Mu kujtua edhe veprimtari Limon Selmani, Baci Liman, njëri nga themeluesit e shoqatës, që çdo herë që vinte në aktivitete të shoqatës, nderohej nga të gjithë medvegjasit. Do ti kujtojmë për jetë. Nuk ka mundësi, që të vij një mysafirë në manifestime të shoqatës dhe të mos nderohet në maksimum. Këtij reportazhi mundem ti shkruaj e ti shkruar edhe shumë e shumë sende që e pamundur ti përshkruaj të gjitha, por një është e sigurt, se nëse Pan Vatra është në SHBA, Pan Vatra për Evrope është SHH „Medvegja“ në Zvicër. Si rrallë në ndonjë shoqatë i sheh së bashku të gjithë kryetarët që kanë drejtuar shoqatën, thuajse të gjithë, ata rijnë bashkë, ata janë një familje. Respekt për këtë unitet të shëndosh që e kanë. Koncerti për fat të mirë nuk u ndërpre, edhe pse shihej koha e vranët dhe ashtu siç ishte parapa, përfundoi me sukses. Ndërsa kryesia, veprimtarët medvegjas, natën e bëjnë ditë, që të përgatisin fushën për ditën e nesërme, sepse fillon turniri i futbollit.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Dita e diel, ditë sporti në futboll i 25-ti me radhë

E diela në mëngjes i sheh të përgjumur, jo vetëm kryesinë aktuale, por edhe veprimtarët e kryesive të kaluara, si Zenel Neziri e Zejnullah Namani e shumë të tjerë. Përgaditeshin që të kalohet kjo ditë e gjatë sporti mirë e më mirë. Xhevat Neziri, kryetar i komisionit sportiv bisedonte me ekipet e referat. Referët Naim Jakupi dhe Valdet Baftiu nuk do ta kenë të lehtë të ndajnë drejtësi, por ata me shumë kënaqësi do të fillojnë lojën e parë, duke e ditur, se asnjëherë nuk ka pasur probleme në turnirin e shoqatës. Ishin 28 ekipe. Lojë pas loje, muzikë shqipe, fotografi, ndërrim telefonash, adresash të sportistëve mes veti, të gjasonte se je në Kosovë. Pas shumë lojërave, në finale u takuan, Team Bex dhe Au Salon ku fitues i turnirit të 25-të doli ekipi Team Bex. Vendi i tretë i takoi Shoqata, komuniteti shqiptar-Martigny, ekipi fair play i takoi ekipit Poliçka, portiere më i mirë, z.Joel Du Cruz, ndërsa lojtari më i mirë i turnirit, u zgjodh nga komisioni sportiv, z.Agonis Ukëhaxhaj. U ndanë kupa e medalje.

Për fund të këtij reportazhi, dua të theksoj, se Shoqata Humanitare „Medvegja“, ka filluar përgaditjen për koncertin e 28 nëntorit dhe festave të tjera si dhe prezentimin e Medvegjës ashtu si e meriton. Kryesia e shoqatës me frymë të re, siç mësova nga kryetari i sapozgjedhur, do të pranojmë sugjerime e ide nga kryesitë e kaluara dhe nuk do të ndalemi kurrë për Medvegjën tonë, brez pas brezi. Gjeneratë pas gjenerate SHKA „Medvegja“ do të jetoj, sepse është punuar e punohet me përkushtim. E kryesia e SHH „Medvegja“ ka kërkuar e do të kërkoj vazhdimisht, që të mos kalohet Medvegja pa u përmendur dhe pa kontribuar nga dy shtetet tona.

Ajo Medvegjë i ka dhënë shumë kombit e i jep edhe sot e kësaj dite, mjafton të kujtojmë, patriotin e madh, Xhim Xhema, që fjala e tij ishte dhe është e madhe në zemrën e botës në SHBA, si dhe tashmë të ndjerin, Akademikun Idriz Ajeti, që një jetë ia dha gjuhës shqipe. Sa e sa veprimtarë ka Medvegja është për tu gëzuar, por gëzimi më i madh është, se medvegjasit kurrë nuk dorëzohen dhe shpirtin e kanë në Medvegjë në ate tokë të bekuar. Krejt në përfundim të këtij reportazhi, më duhet ta them, duke u bazuar në fakte, se Shoqata Humanitare „Medvegja“ meriton mirënjohjen më të veçantë nga dy shtetet tona. E kur do të vije ajo ditë? E kur do të vije ajo ditë, që të punohet nga të gjithë më shumë për Medvegjën? E kur...

Image
Foto nga vendi i ngjarjes
Image
Foto nga vendi i ngjarjes

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat