​PDK feston me shqiptarët në Zvicër, Krasniqi: Të bashkohemi për zhvillimin e Kosovës

Zvicra

​PDK feston me shqiptarët në Zvicër, Krasniqi: Të bashkohemi për zhvillimin e Kosovës

Më: 19 shkurt 2023 Në ora: 18:15
Foto nga vendngjarja

Mërgata shqiptare në Cyrih të Zvicrës ka shënuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pasditen e së dielës, shqiptarët nga diaspora kanë marrë pjesë në organizimin e degës së PDK-së në Zvicër. Nga të njëjtit u kërkua që të bëhen bashkë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha para shumë bashkatdhetarëve se është shumëfishuar numri i mbështetësve të PDK-së.

Krasniqi: Diasporën tonë e ka lidhur kauza dhe rrugëtimi i përbashkët

"Diasporën tonë dhe Partinë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e rrugëtimi i përbashkët. Dhe kjo është manifestuar pikërisht këtu në Zvicër, prej ku liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju, kanë punuar për ta ngritur UÇK-në, e përmes saj, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës", tha Krasniqi para mërgatës shqiptare.

Krasniqi shtoi se në përvjetorët e pavarësisë, është borxh të kujtohen brezat dhe gjeneratat përmes së cilëve u hapen shtigjet e lirisë.

Nga aty, Krasniqi ka kritikuar edhe pushtetin aktual në Prishtinë, ku tha se të njëjtit po hezitojnë edhe të përmendin emrat e ish-krerëve të UÇK-së.

Krasniqi: Pushtetarët në Kosovë hezitojnë t’i përmendin edhe kur kemi festë

"Situata ditore politike dhe pushteti, shpesh di të na e errësojë edhe arsyen dhe gjëra të tilla ndodhin e po ndodhin edhe sot te pushtetarët tanë, por, unë dhe ju të gjithë e dimë, se të vërtetën e historisë sonë, nuk mund ta errësojë kurrfarë lakmie, e as kurrfarë pushteti. Dhe kjo e vërtetë është se as 17 shkurti i 2008-tës si datë, e as shpallja e pavarësisë si ngjarje, nuk kanë kuptim pa nderuar përpjekjen titanike të presidentit, ish-kryetarit tonë, e ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçit. Ai është fytyra e Kosovës moderne, të lirë, të pavarur e sovrane, dhe këtë gjë e ka shënuar historia e s’mund ta ndryshojë askush, kurrë dhe me asgjë. Edhe sot, përderisa pushtetarët në Kosovë hezitojnë t’i përmendin edhe kur kemi festë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, po e vazhdojnë betejën për nderin e Kosovës, për të vërtetën tonë kombëtare dhe për nderin e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi”, theksoi Krasniqi.

Lideri opozitar ka ftuar diasporën që përmes PDK-së, të kontribuojnë në rikthimin e Kosovës në binarët e sigurt të zhvillimit.

Krasniqi: Ju ftoj që të bëhemi bashkë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit

“Prandaj, në këtë përvjetor të 15-të të pavarësisë, ju ftoj që të bëhemi bashkë, si bashkëkombës e bashkëpartiakë, që të lidhemi edhe më fort dhe që së bashku e të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, të punojmë pa u ndalë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit. Uroj shumë që çdo ditëlindje e shtetit tonë, të jetë edhe ditëlindje e një Kosove më të qeshur, më të hapur, më të drejtë e më të dashur, për ju e për gjithsecilin", ka vijuar Krasniqi.

Edhe kryetari i degës në Zvicër, Ragip Xhaka ka përmendur prirësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë duke u mbajtur në Hagë.

Xhaka: Lirim sa më të shpejt të liderëve në Hagë

"I përshëndes familjarët e dëshmorëve dhe lirimin sa më të shpejt të liderëve në Hagë", ka thënë shkurt babai i Granit Xhakës.

E udhëheqësi i komisionit për mërgatën, Elmi Reçica tha se PDK gjithmonë ka pasur prioritet shtetin, e më pas partinë.

Reçica: PDK po fuqizohet që në radhë të parë të jetë shteti

"Pa mbështetjen e këtij shteti, pa strehimin e njerëzve nga ky shtet, do ta kishim edhe ne si të pamundur synimet tona. Dua të përshëndes kryetarët dhe veprimtarët e PDK-së që kanë ardhur nga Suedia, Parisi, Mynheni, Italia dhe shumë vende të tjera...PDK po fuqizohet që në radhë të parë të jetë shteti", tha ai.

Ndërkaq, drejtori për Siguri, Mjedis dhe Energji, Reto Nause tha se Zvicra është krenare me miqësinë që ka me Kosovën dhe popullin e saj.

Ai shtoi se falë talenteve të shkëlqyeshme të të rinjve shqiptarë në futboll, Zvicra krenohet dhe ka suksese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat